Wednesday, January 28, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORERikthehen si sulmi më i mirë, ja statistikat e Vllaznisë në kampionat

Rikthehen si sulmi më i mirë, ja statistikat e Vllaznisë në kampionat

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po përjeton një sezon mjaft pozitiv në Superiore 2025-26, duke konfirmuar ambiciet e saj për të qenë protagoniste deri në fund. Fitorja minimale, por shumë e rëndësishme 1-0 ndaj Partizanit në javën e fundit, i ka dhënë shkodranëve kryesimin e renditjes me 39 pikë pas 21 javësh kampionat. Një sukses që vlen jo vetëm për trepikëshin, por edhe për mesazhin e fortë që skuadra e drejtuar nga Martini.

Kuqeblutë ndajnë të njëjtën kuotë pikësh me Egnatian e vendit të dytë, por diferencohen falë avantazhit në përballjet direkte ndaj rrogozhinasve. Ky detaj mund të rezultojë vendimtar në vazhdimësinë e garës për titull, duke i dhënë Vllaznisë një bonus të rëndësishëm psikologjik dhe sportiv në këtë fazë të sezonit. Renditja e ngjeshur në krye tregon se çdo ndeshje do të ketë peshë të madhe, por momenti aktual flet qartë në favor të shkodranëve.

Në aspektin ofensiv, Vllaznia është rikthyer të jetë skuadra më produktive e kampionatit. Goli i shënuar nga Kastrati ndaj Partizanit e ka çuar totalin e kuqebluve në 28 gola, duke lënë pas Egnatian dhe Dinamon, të cilat ndjekin me nga 27 realizime. Ky efikasitet në sulm është dëshmi e një loje të ndërtuar mirë dhe e alternimit të golashënuesve, çka e bën ekipin më të paparashikueshëm për kundërshtarët.

Një tjetër element pozitiv është përmirësimi i ndjeshëm në repartin mbrojtës, që më herët kishte qenë pika më e dobët e skuadrës. Vllaznia nuk ka pësuar gol në tri ndeshjet e fundit të kampionatit, duke treguar rritje në disiplinë, organizim dhe përqendrim. Deri në javën e 21-të, shkodranët kanë pësuar gjithsej 16 gola, një shifër që i vendos ata mes mbrojtjeve më të mira të Superiores.

Po aq gola të pësuar kanë edhe Egnatia, Dinamo dhe Teuta, ndërsa skuadra me mbrojtjen më solide deri tani mbetet Elbasani me vetëm 14 gola të pësuar. Megjithatë, kombinimi i sulmit më të mirë me një mbrojtje tashmë të stabilizuar e bën Vllazninë një nga ekipet më të balancuara të kampionatit. Statistikat flasin qartë për formën e shkëlqyer të shkodranëve dhe për objektivat e tyre tepër ambicioze në këtë edicion, ku synimi kryesor mbetet lufta për titullin kampion.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments