Futbolli i vendit tonë do rikthehet këtë mesjavë, ku pas ndeshjes nesër që do ketë kombëtarja shqiptare kundër Gjeorgjisë, të mërkurën dhe të enjten do luhen dy ndeshjet e para gjysmëfinale të kupës së Shqipërisë. Vllaznia do ketë përballë Partizanin. Pengesë të cilën duhet ta kalojë për të arritur në finalen e kompeticionit.

Kupa mund të jetë rruga për të shpëtuar sezonin. Kjo jo vetëm për kuqeblutë, por edhe për Partizanin që në kampionat tashmë ka objektiva minimalë. Prandaj ndeshja do i ngjasojë një finaleje të vërtetë, ku me patjetër në ndeshjen e parë do kërkohet nga ana e të dy skuadrave që minimalisht të mos humbasin dhe të vendosin gjithçka pas 2 javësh në takimin e kthimit.

Por edhe kampionati do rikthehet këtë javë. E pikërisht me raundin e tij të 27-të, që mbyll edhe fazën e tretë të Superligës. Vllaznia do ketë përballë Kastriotin, ekip që do e presë në “Loro Boriçi”. Një ndeshje aspak e lehtë duke parë formën shumë të mirë që po kalojnë krutanët dhe objektivin e tyre të qartë.

Nga ana e saj Vllaznia duhet të largojë krizën që e ka kapur në kampionat. Dhe një takim përpara tifozerisë së saj është i duhuri. Kjo do jetë një javë shumë vendimtare për kuqeblutë dhe objektivat e tyre në këtë edicion futbollistik, ku në rast suksesi në të dy sfidat sezoni mund të futej disi në shinat e duhura në këto 2 muaj të fundit.
Endri ÇINARI