Me Vllazninë përsëritet sërish e njëjta histori si në çdo periudhë merkatoje. Sapo hapet ajo, nuk ka rëndësi nëse është e verës apo e dimrit, në media, në rrjetet sociale dhe në opinion, menjëherë dalin në skenë emrat e futbollistëve shkodranë që luajnë me ekipet e tjera si kandidatë të mundshëm për të ardhur tek Vllaznia. Kështu po ndodh edhe këtë herë.Ditët e fundit, po qarkullojnë lajme se Hamdi Salihi, Gilman Lika, Erjon Vucaj dhe Ansi Nikaj, gjatë merkatos së janarit, mund të vishen kuqeblu. Fjalë që bazohen tek forma jo e mirë që po kalon golashënuesi i njohur tek korçarët apo tre mesfushorët që kanë përfunduar si rezerva tek Tirana.

Megjithatë, në këtë mes nuk ka asgjë të vërtetë. Të katër këta lojtarë janë nën kontratë me ekipet e tyre dhe askush nuk ka diskutuar për veshjen  e tyre kuqeblu. Sigurisht që janë gjëra për t’u diskutuar por ka edhe një problem tjetër. Edhe nëse ekziston mundësia për të ardhur në Shkodër këta futbollistë, a kanë vendin gati sepse në rradhë të parë nuk dihet nëse hyjnë të gjithë në preferencat e stafit teknik dhe e dyta, nuk dihet nëse ka fonde në dispozicion për pagesën e tyre. Për merkaton e Vllaznisë aktualisht ka vetëm fjalë dhe diskutime mediatike sepse realisht nuk ka asnjë lëvizje. Skuadra do të rikthehet nesër në stërvitje dhe trajneri Cungu e ka bërë të ditur se për momentin është i fokusuar tek puna me kontigjentin aktual të futbollistëve me të cilët beson se mund të arrihet objektivi që skuadra ka këtë sezon.

© shkodrasport.com