E ka marrë në pozita aspak të mira në renditje skuadrën e Adës pas javës së tetë të kampionatit megjithatë ka pasë besim se do të dalë dhe tashmë që e ka arritur objektivin me të, Ritvan Kulli ndjehet mjaft I kënaqur. I tillë është shfaqur pas ndeshjes së fundit të kampionatit, atë të luajtur me Kamzën ditën e shtunë në Velipojë. Ada ka barazuar 2-2 dhe me këtë rezultat e ka mbyllur kampionatin në vendin e tetë. Në rast fitoreje, do kishte ngjitur edhe 2-3 shkallë megjithatë sërish Kulli është I kënaqur teksa për gazetën do shprehej:
“Në ndeshjen e fundit me Kamzën kishim disa mungesa e po ashtu, lojtarët nuk u karikuan aq sa duhet ngaqë e kishim të sigurtë qëndrimin në kategori. Mbase duhej të kishim shënuar në minutat e fundit për të fituar dhe për të ngjitur ndonjë shkallë në renditje megjithatë duhet të them se jam I kënaqur me ecurinë që ka patur skuadra. E kam marrë në një pozicion shumë të vështirë dhe e mbyllëm në vendin e tetë. I falenderoj të gjithë djemtë për përkushtimin e treguar në stërvitje dhe në ndeshje”. Misioni është përmbushur dhe tashmë me shumë mundësi Kulli nuk do jetë më në krye të kësaj skuadre. Mbase mund të jetë edhe ndryshe ndërsa presidenca e kësaj skuadre vendos ta mbajë. Megjithatë përvoja e kaluar në Velipojë ka qenë shumë positive për të. Ankth, tension dhe në fund kënaqësi për punën e bërë dhe arritjen e objektivave.
Gjergj KOLA