Roberto Carlos njihet gjerësisht si një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në historinë e futbollit botëror, por legjenda braziliane beson se dikush tjetër ka qenë edhe më i mirë se ai te Real Madrid dhe ai është pikërisht Marcelo.

Në një paraqitje në podcastin “Obi One”, Carlos u shpreh se Marcelo është “më i miri në historinë e Real Madrid”, duke befasuar shumë tifozë dhe analistë.

Carlos tha se kur renditen lojtarët e mëdhenj të kësaj pozite si Paolo Maldini, Ashley Cole, Marcelo apo ai vetë, për të “numri një është Marcelo”.

Ai shtoi se Maldini dhe Ashley Cole ishin fantastikë, ndërsa për veten e tij u shpreh me modesti se ishte “në rregull”, por Marcelo sipas tij ishte “ndryshe”.

“Marcelo i kishte të gjitha. Ajo që bënte me topin ishte e pabesueshme. Mund të sulmonte, të shënonte, të driblonte. Unë e solla te Real Madrid dhe e pashë të fitonte Liga të Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube. Ishte fantastik”.

Deklarata e Carlosit vjen si vërtetim i ndikimit të jashtëzakonshëm që Marcelo pati në kohën e tij në “Santiago Bernabeu”, ku u shndërrua në një figurë ikonike të madrilenëve./Telegrafi