Mançester Siti është skuadra më e përfolur për momentin e cila mund të sigurojë shërbimet e Kristiano Ronaldos me yllin portugez i cili ka komunikuar dhe me Guardiolën për vendin e tij në formacion me ‘’qytetarët’’.

Në konferencën për shtyp prag sfidës me Arsenalin, Guardiola u ndal të fliste mbi të ardhmen e Ronaldos duke u shprehur se është vetë lojtari që do të vendosë ku do të luajë, dhe jo klubet që kërkojnë ta transferojnë.

“Nuk mund të them shumë. Kejn do të vazhdojë në klubin e tij, një ekip fantastik si Totenhem. Ronaldo mendoj se është akoma një lojtar i Juventusit. Mund të them vetëm se në 3-4 ditët e mbetura gjithçka mund të ndodhë.

Nga këndvështrimi im, ka pak lojtarë, përfshirë Ronaldon, Mesin dhe disa të tjerë, të cilët vendosin vetë se ku duan të luajnë. Ata janë udhëheqës dhe ata vendosin. Unë jam shumë i lumtur me ekipin që kam dhe mendoj se do të mbetet kështu.

Kristiano do të vendosë se ku do të luajë, jo Siti apo të tjerët. Sot është një konferencë e komplikuar, nesër kemi një lojë të rëndësishme dhe konferenca do të mbulojë tema të tjera.

E vetmja gjë që mund të them është se jam i lumtur që kam parë Mesin dhe Ronaldon duke luajtur dhe ju vetëm mund të thoni faleminderit për atë që kanë bërë.

Ata kanë qenë gjithmonë fantastikë. Unë nuk mendoj se ne do të shohim diçka të tillë sërish në të ardhmen”, tha Guardiola.