Kristiano Ronaldo mund t’i japë lamtumirën Mançester Junajtidit në fund të sezonit. Pavarësisht paraqitjeve të shkëlqyera në fushë (14 gola dhe 3 asiste në 21 ndeshje), sipas “Mirror”-it, ylli portugez po mendon largimin nga “Old Trafford” në qershor për shkak të raportit të vështirë me trajnerin Ralf Rangnik. Kontrata e sulmuesit skadon në 2023-shin, por CR7 i ka kërkuar garanci klubit se cili do të jetë trajneri i ardhshëm përpara se ai të vendosë për të ardhmen e tij.
“Merrni trajnerin e duhur ose largohem”, ishte titulli i “Mirror”, që merr konfirmim edhe nga “Daily Mail”, se raporti i 36-vjeçarit me teknikun provizor gjerman është bërë më i vështirë sesa ishte parashikuar.
Presioni mbi administratorin e ardhshëm të klubit, Riçard Arnold, për të zgjedhur trajnerin e ri, do të jetë shumë i madh. 63- vjeçari Rangnik do të jetë në stol deri në fund të sezonit, përpara se të marrë rolin e këshilltarit në “Old Trafford” për 2 vite.
Dhe për lumturinë e Ronaldos dhe 16 shokëve të tjerë të skuadrës, ai nuk do të jetë më në stol. 17 lojtarë të “Djajve” janë të pakënaqur dhe kërkojnë largimin e tyre nga klubi. Mauricio Poçetino flitet këto orë se është duke pritur telefonatën e Junajtidit, ndërsa zërat për akordin e PSG-së me Zinedin Zidanin po bëhen gjithnjë e më të fortë.
Rangnik – Në konferencën e djeshme për shtyp, përpara ndeshjes së Kupës FA kundër Aston Vilës, Rangnik nuk e mohoi se situata në dhomën e zhveshjes nuk është e qetë.
“Ky nuk është një problem vetëm i Junajtidit. Në dy ndeshjet e fundit, ne kishim në dispozicion shumicën e lojtarëve. Kur ke një skuadër të madhe dhe vetëm 10 lojtarë mund të luajnë, atëherë 12-14 lojtarë të tjerë nuk do të grumbullohen fare.
Këta janë të pakënaqur me situatën, është e qartë. Unë përpiqem t’u shpjegoj lojtarëve çdo 2-3 javë përse nuk po luajnë, por nuk mund ta bëj çdo javë.
Ky është një problem në çdo skuadër. Kemi lojtarë në skadencë kontrate në verë. Ndoshta ka një apo dy të tjerë nën kontratë që duan të largohen. Të pakënaqur me metodat e mia? Të paktën po përpiqen të ndjekin këshillat që unë u jap”, tha Rangnik