Nëse Ronaldo dër gon Juventusin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve me një tripletë, vetëm 24 orë më mbrapa ishte Mesi që iu përgjigj në distancë rivalit të tij me një dopietë dhe dy asiste për Barçën.

Beteja e përjetshme mes dy jashtëtokësorëve të futbollit modern pasurohet me numra dhe statistika të reja, por mbi të gjitha, shorti i sotëm rrezikon që t’i vërë përballë në një duel që sigurisht do të ishte thjesht hyjnor, edhe pse shumë do të donin ndoshta që diçka e tillë të ndodhte disi më vonë, pse jo në finalen e 1 qershorit, në “Vanda Metropolitano”.

Por në pritje se çfarë do të ndodhë në shortin e sotëm, Ronaldo dhe Mesi i bëjnë njëritjetrit presion në distancë, duke parë se nëse portugezi thellon edhe më shumë rekordin e tij në Champions, me 124 gola të shënuar, “pleshti” përgjigjet me 36 gola (108 ato në kompeticionet UEFA) në 36 prezenca sezonale sivjet.

Ndoshta, nga Kristiano pritej diçka më shumë, duke parë se në 36 ndeshje ai numëron 24 gola në total, por portugezi e sheh veten përpara për sa u përket shifrave totale (595 gola), duke qenë se e lë pas Mesin me 568 gola në karrierë.

Gjithsesi, duke parë që si Juventusi ashtu sikurse edhe Barcelona janë kualifikuar për në çerekfinale dhe duke lënë mënjanë Luka Modriçin për vitin 2018, ka shumë mundësi që edhe “Topi i Artë 2019” të rikthehet të jetë një çështje mes Ronaldos dhe Mesit (secili ka fituar 5 “Topa të Artë”)…