“Një Vllaznia kampione do të ndërtoj për sezonin e ri” –thotë presidenti Agron Çela. Optimizëm tek ai dhe stafi I tij. Pavarësisht kësaj, shumëkush mendon se nuk duhet nxituar në deklarata të tilla. E thonë këtë madje edhe specialistë të njohur, ata që kanë një jetë të tërë pranë futbollit dhe që e dinë mirë sesi ndërtohet një ekip pretendent. Njëri prej tyre është padiskutim Ramazan Rragami I cili pikërisht në lidhje me këtë çështje është shprehur kështu për gazeten duke thënë: “Po flasim për një Vllazni që do jetë kampione por ende nuk e dimë se cilët janë lojtarët ende nën kontratë, nuk e dimë ende se cilët lojtarë do vijnë.  Jemi ende herët  për të gjykuar nëse po ndërtohet një skuadër pretendente për titull. Pasi të jetë bërë kjo, duhet të matemi edhe me kontigjentin e skuadrave të tjera sepse nëse matemi me një Skënderbe, me një Kukës apo dhe një Flamurtar që kanë formacione të stabilizuara. Të mos harrojmë se Vllaznia do të ketë shumë lojtarë që do jenë për herë të parë në skuadër dhe do duan kohë të harmonizohen. Ndoshta shkojnë 3-4 muaj që të ndodhë kjo dhe ky do jetë një problem. Prandaj dhe është herët për të thënë se do jemi pretendent për kampion sepse nuk dilet kampion pa patur gjë në xhep”. Deklarata e tij është shumë interesante dhe prandaj duhet dëgjuar. Nga ana tjetër, mjeshtri I njohur bën edhe një vlerësim sipërfaqësor të tre futbollistëve malazezë të ardhur duke u ndalur jo në detaje por në aspekte të tjera që kanë të bëjnë me këtë afrim. “Kam ndjekur gjatë gjithë kësaj periudhe përmes ekranit të televizionit, sidomos në sezonin e fundit, tre kampionate, atë shqiptar natyrisht, atë malazez dhe të Kosovës. Kam kujtuar që të paktën kampionati malazez është më I mirë se ai I Shqipërisë por realisht nuk është kështu. Kampionati ynë është më I mirë se ai por natyrisht edhe se ai kosovar. Por ka një ndryshim sepse Mali I Zi pavarësisht se klubet sot mund t’I ketë të dobëta, historikisht kanë nxjerrë lojtarë shumë të mirë dhe mbase atyre u intereson aktualisht individi dhe jo ekipi. Kështu që ndoshta edhe këta tre lojtarët e ardhur nga Zeta, vërtetë vijnë nga një ekip që ka dalë në vend të tetë në kampionatin e fundit, por mund të kenë vlera individuale. Dhe përderisa Bushati I ka besuar vlerave të këtyre lojtarëve, aq më tepër që kanë kaluar tre ture në Kupat e Europës, duhet ta marrim si të mirëqenë përzgjedhjen e këtij trajneri”- thotë Rragami. Fjala e tij dëgjohet në Shkodër. Shpesh edhe nga drejtuesit e klubit apo dhe trajnerët që e kanë drejtuar Vllazninë. Kjo ngaqë ka një eksperiencë të madhe si në drejtimin e kësaj skuadre por edhe në ekipet kombëtare. Pikërisht për të gjitha këto, ai është shumë I qartë në ato çfarë thotë.  “Ka një problem tek Vllaznia. Vijnë këta tre futbollistët malazezë, mund të qëndrojë edhe Vujadinoviç e Dragoi, pra bëhen 5 të huaj dhe në këtë mënyrë kur lejohen 4 të luajnë në sezonin e ardhshëm, ne kemi blerë një lojtar të huaj për ta lënë rezervë. Megjithatë trajneri besoj se I ka të qarta idetë e tij. Ashtu siç mendoj se ka në mendje edhe gjetjen e një sulmuesi cilësor apo dhe të një mbrojtësi të djathtë për të zëvendësuar Smajlin e larguar. Përderisa është mbyllur merkatoja me të huajt, tashmë duhet parë se cilët futbollistë shqiptarë kanë piketuar drejtuesit e Vllaznisë. Sigurisht që një lojtar I cili do blihet, nuk blihet nga emri por nga vlera që ka. Skuadra s’mund të ketë nevojë për një futbollist ta zëmë 35 vjeç por duhet të kompletohet me lojtarët që I duhen. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e skuadrës. Vllaznia gjatë gjithë historisë së saj ka synuar për më lart. Ndoshta nuk ka dalë gjithmonë kampione por ka qenë gjithnjë aty, në vend të dytë, në vend të tretë duke u ngrënë dhëmb për dhëmb me ekipe të tilla si Partizani, Tirana e Dinamo. Por këto vitet e fundit ajo duket se po e kthen në traditë renditjen në vendet 6-7 e pastaj me këto vende mësohen edhe vetë futbollistët, mësohen tifozët dhe nuk ka progres por regres në futbollin shkodran. Prandaj e them që planet për një ngjitje të mundshme duhen bërë mirë e të mos dështojmë sërish siç kemi dështuar në këto dy sezonet e fundit”- ka thënë në fund të prononcimit të tij mjeshtri I mirënjohur Ramazan Rragami.
Gjergj KOLA