Biografia e Niklas Bendtner, i njohur me nofkën “Lordi”, pritet të kthehet shumë shpejt në një nga librat më të shitur, pasi sulmuesi danez i cili ka kaluar në ekipe të njohura në Europë si Arsenal e Juventus, ka treguar disa nga çmenduritë më të mëdha që ka bërë jashtë fushës së lojës në rrëfimin e tij.
Libri ka dalë në shitje pak ditë më parë dhe aty ai ka detajuar çmenduri të organizuara edhe në kombëtaren e Danimarkës. Për shembull ai ka treguar se ishte “traditë” që në grumbullimet e kombëtares, lojtarët të organizonin që në hotel të kishte një dhomë me femra me të cilat ata kalonin natën.
“Dhomat tona ishin në njërën anë të hotelit, ndërsa ne organizoheshim që vajzat të prenotonin në anën tjetër. Kur Morten Olsen (trajneri i Danimarkës 2000-2015) shkonte të flinte, ne lëviznim me qetësi dhe shkonim atje.
Kjo është një traditë që ka ekzistuar prej shumë kohësh”, siguronte lojtari i cili me Danimarkën ka luajtur në 81 ndeshje duke shënuar 30 gola e duke marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme si Botërori 2010 apo Europiani 2012.
Disa prej lojtarëve të Danimarkës që kanë luajtur përkrah Bendtner, kanë nxituar që të përgënjeshtrojnë këto deklarata të cilat mund t’u krijojnë probleme familjare.
Ndërsa trajneri aktual, Age Haraide, e ka cilësuar si “shembullore” sjelljen e futbollistëve të tij në vitet e fundit, përfshirë edhe atë të Bendtner të cilin e kishte në skuadër për eliminatoret e Botërorit 2018. /vipsport/