Ish-kapiteni i kombëtares sonë, Lorik Cana, ka rrëfyer në një intervistë të gjatë jetën pas futbollit, por edhe momente nga karriera e tij. Cana e ka shprehur disa herë se nuk i intereson të jetë trajner, po më shumë në rolin e drejtuesit. Tashmë në moshën 35 vjeçare ai tregon për momentet veçanta në karrierë, me kombëtaren dhe klubet.
Pas futbollit të luajtur
“E ndjej veten me fat, pasi kam bërë gjithçka që mundem me projektet që më pëlqejnë. Dua të jap kontribut për komunitetin. E shoh të rëndësishme për veten dhe e di që jam i aftë të tregoj shembullin e duhur. Pa mbyllur ende karrierën e kisha menduar fondacionin që po merrem aktualisht. Po investojmë te fëmijët dhe ka përgjegjësi të madhe. Kam qenë i hapur për gjera të reja, të mësoj në fusha të reja. Kam investuar për këtë dhe dua të jem drejtor sportiv.
Momente pikante nga karriera
“Sigurisht që ka disa, por më i rëndësishme mbetet kualifikimi në Europian. Ishte realizimi i një ëndrre dhe pune 13-vjeçare. Moment i bukur, imagjino kur nis diçka që duket larg, por në fund e realizn. E dija sa njerëz prisnin prej nesh. Ka qenë momenti më krenarë për mua si sporti. Edhe ndeshja me Greqinë është e rëndësishme, por jo si kualifikimi. Ata ishin kampion Europe, atëherë ishte fillimi për mua. “
Ekipi që bën tifo?
“Jam rritur në Lozanë të Zvicrës. Atë kohë Marseja ishte ekipi më i mirë. Në 1991 humbi një finale me Zvezdën, unë kam qarë aty. Më vonë në 1993 u bë kampione e Europës. Imagjino kur je tifoz me një ekip dhe më pas luan te ai ekip. Marseja është e veçantë për mua. Pas saj vjen Parisi, pavarësisht se shumë nuk e kanë kuptuar lëvizjen time sepse ka rivalitete mes ekipeve. Kam qenë tifoz me Gallatasarajn. Kur më pyesnin pse, u thoja sepse e ka themeluar një shqiptar. Ëndrrën e kam plotësuar, luajta me Marsejën, atë ëndërr kisha.
E ardhmja
“ Dua të jem si drejtues në të ardhmen. Jam tërhequr nga futbolli për shkak të një problemi shëndetësor, isha 32 vjeç kur e mësova dhe mund të luaja edhe një vit, jo më shumë. Duhet të jesh i përgatitur. Nuk e shikoj veten si trajner sepse ka shumë stres. Me investime jam marrë edhe kur luaja futboll, ka pasur të suksesshme, por edhe jo. Kam menduar të investoj te teknologjia tani dhe është eksperienca e parë në këtë fushë.
Kosova dhe Shqipëria
“Shqiptarët kanë një kombëtare, por tani edhe një përfaqësuese. Mos t’i ngatërrojmë emrat, duket detaj, por është e rëndësishme. Kombëtarja është një dhe nuk ka tjetër. Është ajo e kuqe, me simbolin kombëtare. Të tjerat janë përfaqësuese. Kosova ka komentin e saj dhe duhet të jetë në të mirën e të gjithëve të jetë sa më e suksesshme. Nuk kam pretendime të jem trajener as i njërës as i tjetrës. As për president federata nuk kam synime, të paktën jo tani. Nëse bëjmë një ligë të përbashkët futboll, mund të jetë interesante.”