Fati vazhdon t’i buzëqeshe Rei Manajt, i cili nga një futbollist me valixhe në duar, mund të kthehet në mënyrë të papritur në një lojtar të ekipit të partë të Barcelonës. Sulmuesi ishte llogaritur si një prej atyre që do të shiteshin në verë për të rregulluar sadopak bilancet.

Por largimi i Mesit, dëmtimet e shumta e pamundësia për momentin për të regjistruar lojtarët e afruar së fundmi, bën që Manaj jo vetëm të stërvitet me ekipin e parë, por të jetë një kandidat për të luajtur disa minuta në javën e parë të La Liga në këtë fundjavë.

Dëmtimet e Dembele, Fati dhe Aguero, kanë bërë që te Barcelona të ketë një mangësi të dukshme sulmuesish. Depaj nuk është regjistruar ende pasi Barcelona ka kaluar tavanin për shpenzimet dhe pa shitur lojtarë nuk bën dot lëvizje në hyrje zyrtarisht.

Kështu, alternativat janë vetëm Grizman e Breithuejt për momentin, me Manajn pastaj që është një nga 2-3 lojtarët që afrohen nga ekipi i dytë si alternativa për këtë dyshe.

Sipas “Mundo Deportivo”, Kuman ka kërkuar një sulmues të ri, por pamundësia për të siguruar një të tilë mund të shtyjë klubin të shqyrtojë edhe një herë situatën e Manajt dhe të vendosë të mbajë lojtarin i cili nuk rëndon në arkat e klubit pasi është regjistruar me rrogë minimale si pjesë e filialit.