Vllaznia nisi sot javën e dytë të pushimeve post-sezon, teksa klubi ka vendosur që skuadra të qëndrojë pushim deri më datë 15 qershor. Gjatë kësaj kohe, do të bëhet “proçesi i rivlerësimit” apo negociatat për vazhdimin e mundshëm të kontratave me titullarët.

Ndërkohë, sulmuesi Fahrudin Djurdjevic do jetë një nga largimet e para të Vllaznisë, teksa maqedonasi është larguar nga Shqipëria. Nuk është ende e qartë, nëse palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e bashkëpunimit apo sulmuesi ka vendosur të largohet nga shkodranët.

Për momentin, klubi nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për Djurdjevic dhe asnjë futbollist tjetër. Kujtojmë që, Djurdjevic erdhi verën e kaluar te Vllaznia për të mbajtur peshën e sulmit të shkodranëve.

Ai luajti në shumë ndeshje titullar, madje edhe i vetëm në majë të ofensivës, por shënoi vetëm një gol me fanellën kuqeblu, atë ndaj Dinamos në fitoren 6-3.

Rrugën e Djurdjevic pritet që gjatë kësaj jave ta ndjekin edhe futbollistë të tjerë të Vllaznisë. Me siguri, kjo javë do të sjellë të reja në kampin shkodran, teksa të tjerë titullarë pritet të largohen nga kuqeblutë.
Maringlen ZHIVANI