Një nga lojtarët më të mirë në sfidën mes Vllaznisë dhe Teutës, ishte shkodrani Rubin Hebaj. Sot, sulmuesi në ndeshjen ndaj kuqebluve arriti të shënojë golin e parë dhe të japë asist për golin e dytë.
Në intervistën për mediat pas ndeshjes me Vllazninë, Hebaj deklaroi se është profesionist dhe bëri vetëm detyrën për Teutën, por nga ana tjetër i vjen edhe keq që shënoi ndaj ekipit ku është rritur, edhe pse goli i tij nuk i ndihmoi durrsakët në marrjen e një rezultati pozitiv.
“Me rezultatin nuk jam i kënaqur, as me lojën nuk jam i kënaqur. Mund të them që shënova, por goli im nuk ishte i mjaftueshëm as për të fituar as për të barazuar, për të marrë pikë në Shkodër.
Gjithmonë shpresa të mban në lojë deri në minutë të fundit dhe besoj e treguam me dy golat që shënuam, por prapë siç e thashë, nuk mjaftoi për të marrë pikë.
Ne morëm një rezultat pozitiv, ku u kualifikuam në gjysmëfinale të kupës, poashtu fituam ndaj Skënderbeut në kampionat. Mendoj që është më shumë çështje përqëndrimi dhe paniku, se sa kualiteti. Besoj se do ta korrigjojmë në ditët dhe javët në vazhdim.
Për golat e kam shprehur gjithmonë që unë kam dëshirë të bëj sa më shumë gola. Shpresoj të bëj sa më shumë.
Kontratën e kam për një vit te Teuta, deri në janarin e vitit tjetër. Nuk e di të shohim të ardhmen.
Normalisht, kupat e Europës janë objektiv. Kupa është rruga më e shkurtë për të arritur Europën. Me këtë humbjen e sotme, është e vështirë nga kampionati, por gjithsesi ka shumë ndeshje dhe shpresoj t’ia arrij objektivit.
Vllaznia? Një vit kam kontratë me Teutën, pastaj nuk e di, të shohim”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj.
Maringlen ZHIVANI