Rudi Vata, një nga emrat e njohur të futbollit shqiptar ka qenë së fundmi i ftuar në rubrikën sportive të RTSH Shkodra.rudi vataNë fjalët e tij ish-mbrojtësi ka analizuar takimin e fundit Vllaznia-Dinamo, duke theksuar se në një duel të tillë ishin kuqeblutë që treguan karakter. Ndër të tjerat ai ndalet te “përplasja”, Martini-Daja, duke i cilësuar si deklarata emocionale dhe pjesë edhe e lojës psikologjike në futboll. Po ashtu për shkodranin ky duket të jetë viti i duhur për Vllazninë, që pas më shumë se dy dekadash të risjellë titullin kampion në Shkodër.

Vata, fitore e Vllaznisë në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos, e merituar?

Ishte një ndeshje që patjetër tërhoqi vëmendjen time, pasi përballë ishin dy ekipet pretendente për kampion dhe ndër më cilësoret të kampionatit. Në përgjithësi besoj se u zhvillua një 90- minutësh i kënaqshëm nga ana e dy skuadrave edhe e them se Vllaznia e meritoi fitoren. Shënoi dhe arriti të impononte kundërshtarin në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ishte e kujdesshme. Ndoshta duke pasur parasysh edhe gabimet e së shkuarës ku është ndëshkuar vetëm nga loja sulmuese që bën. Prandaj skuadra menaxhoi siç duhet duke marrë 3 pikë të arta në fundin e 90 minutave.

Tregoi skuadra forcën ndaj kundërshtari direkt?

Absolutisht që po dhe kjo po më pëlqen tek kjo Vllazni e sivjetshme. Skuadra po tregon karakter dhe forcë ndaj rivalëve direktë, duke treguar qartazi se ata janë këtu. Dhe e duan me çdo kusht fitoren në çdo sfidë ku luajnë, pavarësisht arrihet sukesi apo jo në fund. Mentaliteti i skuadrës është ai i duhuri dhe me të tillë psikologji mund të arrish gjëra të mëdha. Skuadra është realisht në rrugën e duhur dhe duhet të vijojë kështu edhe në javët e ardhshme.

Mund të vijonte Vllaznia me të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë?

Shiko, ritmi bie do apo s’do t’i gjatë 90 minutave të lojës. Nuk mund të mbash të njëjtin presion loje dhe të krijosh raste pa fund gjatë gjithë lojës. Vllaznia u tregua e zgjuar për mua në pjesën e dytë ndaj Dinamos, duke u mbrojtur mirë e duke mos rrezikuar shumë 3 pikët. Këtu duke pasur parasysh edhe cilësinë e kundërshtarit që ka lojtarë të rrezikshëm në fazën sulmuese. Dhe që i ka hapur probleme në të shkuarën kuqebluve.

Bind kjo Vllazni për titullin kampion këtë edicion?

Në syrin tim bind deri më tani, skuadra përveçse luan futbollin më të mirë në Superiore, më duket e bindur në forcat e saj. Kjo si meritë edhe e Martinit që ka përçuar këtë frymë tek futbollistët. Po ashtu në verë janë bërë afrimet e duhura në merkato, duke marrë futbollistë që bëjnë diferencën dhe që dinë të zgjidhin situata. Prandaj jam i bindur tek ky ekip nga i cili personalisht pres edhe akoma më tepër, kjo nga vetë aftësitë e futbollistëve që ka në përbërje.

Sa e besoni vetë personalisht arritjen e këtij objektivi nga ana e skuadrës?

Për mua ky është viti i Vllaznisë, viti i artë që titulli të kthehet në Shkodër. Ekipi prej disa sezonesh është në “vallen” e titullit, por këtë edicion po më bindin më shumë se asnjëherë tjetër. Them se tashmë janë “pjekur” kushtet dhe ka ardhur momenti që ai titull kampion i aq shumë munguar prej më shumë se 20 vitesh të rikthehet në Shkodër dhe tek Vllaznia.

Ndonjë këshillë për skuadrën do kishit?

Asnjë këshillë e veçantë, thjesht të ecin në këtë ritëm e të mos ndalojnë hapin. Janë në rrugën e duhur e të vijojnë kështu. Të mbajnë besimin që kanë shfaqur deri më tani e po ashtu duke qenë të përqendruar. Duke mos kaluar në eufori e duke mos nënvlerësuar asnjë situatë sepse kështu shkohet drejt titullit kampion. Dhe këtu shoh që ekipi është totalisht i përqendruar, duke mos qenë pjesë e deklaratave apo daljeve mediatike më shumë seç duhet. Sa për futbollin në fushë besoj se deri më tani kanë shfaqur nivel të mirë.

Deklaratën e Dajës që Dinamo i ka mësuar futboll Shkodrës, si e komenton?

Këto janë deklarata emocionale që erdhën edhe pas një ndeshjeje ku ekipi i Dajes u mund nga një rival direkt. Jam i sigurt se po ta pyesësh tani, nuk do jetë e njëjta përgjigje apo deklaratë. Sepse Daja, një personazh që i ka dhënë futbollit shqiptar e di mjaft mirë historinë. E di se kush është Vllaznia edhe Shkodra, e po ashtu di se çfarë ka prodhuar ky qytet dhe ku klub. Prandaj them se është nxituar e kjo ka ardhur si pasojë e humbjes që pësoi në Shkodër. Në një ndeshje që mbarte presion nga të dy krahët dhe u dallua edhe në replikat dhe kundër repilkat para dhe pas ndeshjes.

Po gjesti i Martinit?

Edhe për të vlen e njëjta gjë, e shikoj diçka të çastit dhe kurrë të menduar nga ana e Edit (Martinit). E po ashtu mendoj se nuk e ka pasur personale me asnjë tek Dinamo. Thjesht një gjest shfryrjeje pas një dueli të fortë në kampionat dhe janë gjëra që ndodhin në futboll. E po ashtu tregon edhe dashurinë e madhe dhe përgjegjësinë që Martini ka marrë për Vllazninë këtë edicion.