Tuesday, January 27, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORERudi Vata: Martini është një ekspert i kampionatit shqiptar. Ai i di...

Rudi Vata: Martini është një ekspert i kampionatit shqiptar. Ai i di mirë ‘hilet’ dhe si funksionojnë gjërat në Superiore

Rudi Vata, ish-mbrojtësi i njohur i Vllaznisë dhe ish-kapiteni i kombëtares së futbollit ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Në fjalët e tij, shkodrani është ndalur veçanërisht te fitorja e fundit e kuqebluve 1- 0 ndaj Partizanit. Duke e theksuar të merituar dhe që shkon paralel me paraqitjet e periudhës së fundit.

Por, tashmë do të nisë një tjetër “tur force” për shkodranët sipas Vatës, që duhet të japin akoma më shumë për të mbajtur vendin e parë. Ndër të tjera ish-futbollisti edhe i Selltik mendon se ky është viti i duhur që Vllaznia të rikthejë titullin kampion në Shkodër, e teksa shprehet se me legjenda si MartiniSinani në drejtim, skuadra do ta ketë më të “lehtë” për të shkuar drejt suksesit final.

Vata, tjetër fitore e Vllaznisë në javën e fundit ndaj Partizanit me shifrat 1- 0, e merituar?

Absolutisht që ishte një fitore e merituar e Vllaznisë, që dominoi në pjesën më të madhe të ndeshjes. Duke lënë shumë pak mundësi për kundërshtarin dhe po ashtu duke krijuar shumë përpara, ku ndoshta në pjesën e parë rezultati mund të ishte më i thellë në favor të kuqebluve. Megjithatë Vllaznia mori atë çfarë ka më shumë rëndësi, që janë 3 pikët e po ashtu duke prezantuar një futboll të një niveli shumë të mirë. E tashmë kryeson edhe tabelën e klasfikimit me mjaft meritë, ku në vitin 2026 po shoh një “karakter” tjetër të skuadrës. Që realisht po më pëlqen shumë

Është tashmë kjo Vllaznia e “vërtetë”, ajo që na u prezantua në fillim të sezonit?

Unë mendoj se kjo ka qenë Vllaznia thuajse gjatë gjithë sezonit, por çdo ekip ka ato ulje dhe ngritjet e veta gjatë 36 javëve. Shpresoj që tashmë shkodranët ta kenë kaluar momentin “negativ”, që ishte faza e dytë e kampionatit dhe të vijojnë në këtë ritëm. Skuadra është e vërtetë që po rikthehet në nivelin që shfaqi në fillim të edicionit, por tashmë i shoh edhe më cinikë e më të kujdesshëm në mbrojtje. E kjo patjetër është me të vërtetë diçka shumë pozitive, pasi të kesh siguri në prapavijë ku ekipi nuk po pëson gola, është një plus shumë i madh për një ekip që si objektiv ka titullin kampion në fund të sezonit.

Janë elementët e veçantë si Kallaku apo Kastrati që po bëjnë diferencën tashmë?

Shiko, gjithmonë nëse do të bësh diferencën me kundërshtarët duhet të kesh futbollistë më cilësorë se ata. E për fatin e mirë, Vllaznia i ka në gjirin e saj këta elementë këtë sezon, jo vetëm Kastrati e Kallaku që po shfaqin vlerat e tyre tashmë, por edhe Mala, Krymi, Gurishta, Balaj, të cilët janë profesionistë dhe është kënaqësi t’i kesh në skuadër janë kualitet. Në gjykimin tim, Vllaznia ka ekipin më të mirë këtë edicion në Superiore dhe duhet të jetë e aftë të bëjë çdo herë diferencën, ndaj çdo kundërshtari që do të ketë përballë.

Duket sikur skuadra tërhiqet në pjesët e dyta dhe “lëshon” terren për kundërshtarin?

Ata që kanë luajtur futboll e kuptojnë që ajo është një tërheqje “natyrale”, vjen vetvetiu nga një kujdes i brendshëm i futbollistëve për të mos lëshuar fitoren dhe 3 pikët. Nuk mendoj se ishte ndonjë udhëzim që skuadra të qëndronte prapa, megjithatë nuk është se Vllaznia po luante në mbrojtje, por po përpiqej të shfrytëzonte kundërsulmin në një takim ku ishte në avantazh. E mund të them se nëse lojtarët do të ishin më të qetë dhe altruistë do e “mbyllinin” ndeshjen me kohë. Por, patjetër edhe ruajtja e energjive për ndeshjet e ardhshme, pasi javët kalojnë shpejt e futbollistët nuk kanë pse të kenë mbingarkesa e rrezikojnë edhe dëmtime. Nga të cilat Vllaznia ka vuajtur shumë në dy sezonet e fundit.

Çfarë duhet të bëjnë shkodranët që mos ta lëshojnë më kreun?

Tani nis puna më e vështirë për Vllazninë, pasi duhet të mbajë “fort” për vendin e parë. Do të ketë 9 ekipe në ndjekje, pasi do t’i llogaris edhe skuadrat që luftojnë për mesin e tabelës apo edhe mbijetesën. Pasi secila prej tyre ka objektivat e çdo duel kundër Vllaznisë do të jetë si një “finale”, prandaj skuadra duhet të shfaqë seriozitet ndaj çdo rivali, të japë ndoshta më shumë seç ka dhënë deri më tani. Pasi i rëndësishëm nuk është vetëm kreu, por grumbullimi i sa më shumë pikëve të jetë e mundur. Në mënyrë që në “Final 4”, Vllaznia të shkojë sa më e qetë dhe me “luks” rezultatesh e jo të jetë ajo skuadra që medoemos të synojë fitoren, ashtu siç ka ndodhur në vitet e tjera.

Mendoni se ky mund të jetë viti i duhur për të sjellë titullin kampion në Shkodër?

Ndoshta po, e them sepse kanë kaluar shumë vite e tashmë më duket se ka ardhur momenti i duhur. Vllaznia e qyteti po e “vuajnë” mungesën e një titulli kampion prej 25 vitesh e kjo është një periudhë shumë e gjatë. Siç e thashë, kuqeblutë në syrin tim janë skuadra më e fortë në kampionat e kjo duhet shfrytëzuar në maksimum. Pastaj nëse Vllazninë e çojnë drejt suksesit ata janë vetëm djemtë shkodranë, ata që e dinë vlerën e ekipit dhe qytetit e këtë edicioni duhet të jemi të gëzuar që në drejtimin e skuadrës si trajner është Edi Martini e ndërsa si drejtor është Vioresin Sinani. Dy emblema dhe dy emra që e dinë mirë se si shkohet tek titulli kampion.

Janë dyshja Martini-Sinani një “bonus” për skuadrën?

Patjetër që po, janë djemë që njohin klubin, por njohin shumë mirë edhe Superioren. Edi (Martini) është një ekspert i kampionatit shqiptar, me një eksperiencë të akumuluar tashmë prej vitesh. Ai i di mirë “hilet” dhe si funksionojnë gjërat në Superiore. Prandaj përgatit skuadrën jo vetëm në aspektin taktik, por edhe atë psikologjik. Që është shumë e rëndësishme, pasi të gjithë faktorët që të dërgojnë tek suksesi duhet të jenë optimale në një skuadër futbolli.

Dueli i radhës në Durrës përballë Teutës, e vështirë?

Është ndeshje e “sikletshme”, pasi e përmenda që tashmë Vllaznia do të jetë “shënjestra” e çdo ekipi në Superiore. Po ashtu Teuta në shtëpinë e saj do të kërkojë të reagojë pas një periudhe jo edhe aq shumë pozitive. Megjithatë them se me formën dhe humorin që ka Vllaznia në këto momente, do të arrijë ta kalojë me sukses edhe këtë provë. Besoj se kuqeblutë kanë ekip më të mirë se durrsakët dhe do të arrijnë të bëjnë diferencën për të siguruar 3 pikët e radhës në kampionat.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments