Tifozët shkodranë thuajse gjithë kohën zhgënjehen kur shohin emisionet sportive në TV kombëtare dhe ato të kryeqytetit teksa në të shumë pak kohë i kushtohet Vllaznisë. Madje edhe tani që ajo është në vend të parë, sërish nuk merr vëmendjen e duhur.

Edhe kur të ftuar në këto emisione janë pjestarë të Vllaznisë, sërish më shumë flitet për “derbin” e kryeqytetit, apo dhe për “rrogat e padhëna” në Shkodër.

Por mbrëmë ka qenë ndryshe. Rudi Vata ndoshta për herë të parë në jetën e tij ka qenë i shkëlqyer. Ai është shfaqur në studion e një televizioni në Tiranë vërtetë si “ambasadori më i mirë i Shkodrës”.

E ka ngritur aq lart (kuptohet për meritë të saj) saqë janë çuditur edhe të ftuarit e tjerë apo dhe drejtuesit e emisionit. Ka çuar në qiell punën e trajnerit Brdariç, të lojtarëve, të sponsorit dhe drejtuesve të tjerë të klubit, ka folur me shumë dëshirë për objektivat e kësaj skuadre duke thënë se arritja në Kupat e Europës është mëse e mundshme.

Ka lavdëruar edhe Kukësin e deri diku edhe Partizanin, por ka “harruar” Tiranën kampione dhe këtu të tjerët janë bërë keq. “Më thoni a po bën Tirana një lojë kampionësh?”- u është drejtuar Vata në një moment të tjerëve. Dhe përgjigja e tyre ka qenë “jo”, por edhe kanë reaguar duke thënë se askush nuk bën lojë kampionësh.

Por ish- kapiteni i kombëtares ka ndërhyrë sërish duke thënë: “Vllaznia po bën lojë kampionësh, nuk ka pse të mos e vlerësoni ashtu si duhet për atë që po bën në kampionat”./SHKODRA-SPORT.COM/