Rudi Vata ishte i ftuar në emisionin “Mega Sport” që transmetohet në “A2 Cnn” atje ku ka folur sa i përket fitores së Shqipërisë kundër Serbisë. “Fitore e madhe e Shqipërisë kundër Serbisë, u komentua kudo, u fol kudo dhe bashkoi të gjithë shqiptarët.

Nga Amerika, në Kanada, kudo në botë ku ka shqiptarë u festua. Madje mua më kanë kontaktuar shumë skocezë që ishin të habitur për këtë festë të madhe dhe përjetimin e shqiptarëve për këtë moment historik. Është energji e fort që erdhi në momentin e duhur.

Silvinjo ka gabuar shumë më parë, por në dy ndeshjet e fundit i ka përgatitur saktë. Stojkovic nga ana tjetër gaboi duke hedhur në fushë dy debutues, nuk mund të hedhësh debutues në fushë në një ndeshje kaq të rëndësishme.

E kishte kuptuar që Stojkovic që aty do të ketë pikat e dobëta. Nuk mundesh të debutosh kështu, në një ndeshje të tillë. Kjo bëri që Manaj dhe Uzuni, sidomos Uzuni të krijonin shumë probleme. I shfrytëzuan faullat e tij, nga ai djali i ri që ishte i hutuar, i papërqendruar dhe kështu përfituam.

Prandaj duhet t’i japim meritat Silvinjos, fryma e grupit ishte si kurrë më parë dhe Uzuni kishte shumë energji, i dha shumë energji ekipit”, tha Vata. /Sport Ekspres/