Safet Osja, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe ish-zëvendëstrajneri i kësaj skuadre, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, i ka bërë një skaner skuadrës shkodrane për atë që ka dhënë në 10 javët e para të kampionatit. Ai ka vënë edhe theksin te ndryshimi i ndodhur në skuadër, si dhe ka treguar të përbashkëtat që ka ekipi aktual me atë të një sezoni më parë. Gjithashtu, ish-mesfushori ka evidentuar edhe pikat e forta e të dobëta të njërës dhe tjetrës skuadër.


Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Vllaznisë?

Vllaznia përjetoi një fazë të parë me shumë ulje dhe ngritje, por faza e dytë nisi me një fitore të merituar ndaj Laçit, si dhe me një lojë të bukur.


Skuadra aktuale, si ju duket në krahasim me Vllazninë e sezonit të shkuar?

Vllaznia këtë sezon duket se është më mirë në repartin e sulmit dhe më e dobët në repartin e mbrojtjes. Këtë gjë e tregojnë shifrat e arritura nga ekipi në fazat sulmuese dhe mbrojtëse deri tani.

Ku ka qenë më lart skuadra e vjetshme në start nga kjo e sotmja?

Vllaznia e vitit të kaluar ka qenë më lart në fillimin e sezonit, madje në dy fazat e para. Kjo, mbase edhe për faktin se patëm më shumë kohë për të punuar me skuadrën.


Cilat shikoni si pikat më të forta dhe më të dobëta të kësaj Vllaznie?

Për mua pika më e fortë e kësaj skuadre është sulmi, ndërsa pika më e dobët është mbrojtja. Mase kjo vjen edhe nga fakti se trajnerin Tomas Brdariç e karakterizon më shumë loja sulmuese.


A e shikoni skuadrën shkodrane për titull këtë vit?

Pa dyshim që po.


Pas dy fitoreve radhazi, mendoni se Vllaznia e ka kaluar krizën e rezultateve të fillimit të kampionatit?

Vllaznia duhet të luajë siç luajti me Laçin. Ndaj, besoj se me rikthimin e Ardit Hoxhajt dhe Viktor da Silvës në fushë, skuadra bëhet më e fortë dhe efektive në lojën sulmuese.


Teuta ka qenë përherë një “kockë e fortë” për Vllazninë dhe nesër është përballja e radhës. Besoni se kësaj here triumfi do të jetë për kuqeblutë?

Duke u konsoliduar repartet me njëri-tjetrin dhe duke u njohur më shumë në lojë, besoj që fitorja duhet të vijë. Kështu që, besoj te suksesi ndaj durrsakëve.


Sa ndikim mund të ketë largimi i trajnerit Martini nga ekipi i Teutës?

Largimin e Martinit nga Teuta e konsideroj si diçka pozitive për ekipin shkodran. Vllaznia duhet ta shfrytëzojë këtë moment, sepse të largohet trajneri me disa trofe të fituara dy sezonet e fundit, nuk është e lehtë për një ekip si Teuta.