Ndeshjet e sotme në kampionatin kroat kanë parë si protagonist disa futbollistë që aktivizohen në radhët e skuadrave kryesore në futbollin në këtë vend. Një gol i Emir Sahitit ka ndihmuar Sibenik të bëjë një tjetër hap para, ndërsa Kastrati dhe Kallaku kanë vendosur vulën e tyre në derbin e Zagrebit.

Fillimisht, Emir Sahiti shënoi në ndeshjen e sotme të Sibenik kundër RIjekës, duke realizuar golin e 2-0, rezultat me të cilin u mbyll sfida. Sulmuesi i Shpresave kësisoj ndihmoi skuadrën e tij që të largohej nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Aty mbetet ende e zhytur Lokomotiva e Zagrebit, e cila është aktualisht e parafundit në kampionat. Por skuadra e mbushur me shqiptarë ka dhënë sinjalet se është në rrugën e duhur dhe e tregoi sot me një barazim të rëndësishëm në derbin ndaj Dinamos së Zagrebit. Me Maliqin, Çokajn, Kallakun e Tucin në fushë nga minuta e parë, si dhe me Tahirajan që u aktivizua si zëvendësues, Lokomotiva mori një pikë shumë të rëndësishme sidomos për moralin.

Protagonistë u bënë Lirim Kastrati nga njëri krah e Sherif Kallaku nga krahu tjetër. Fillimisht, futbollisti i Kosovës ai që dha asistin për golin e avantazhit që në minutën e 8 të sfidës. Por shifrat u barazuan në minutën e 42 nga Ibrahim, pas një aksioni të shkëlqyer personal të Kallakut i cili ia bëri të thjeshtë që të dërgonte topin në rrjetë. 1-1 dhe pikë që largon Lokomotiva Zagreb nga vendi i fundit në renditje, në një sezon që ka nisur shumë keq për “bandën e shqiptarëve”. /vipsport/