Kampionati i Superligës është mbyllur dje me kurorëzimin e Tiranës kampione, por festa e saj në fakt “u përbalt” nga mënyra si u luajt ndeshja e fundit ndaj Kukësit, e cila u humb me shifrat 2-3 prej saj dhe pikërisht prej kësaj fitoreje, kukësianët u renditën në vendin e katërt duke qenë ende në lojë për një vend që do t’i çojë në Europë.

Njëri prej emrat e shquar të skuadrës bardheblu, ish- mesfushori Saimir Patushi që ka fituar edhe disa trofe me të, është i kënaqur për trofeun e kësaj skuadre, por kurrsesi me sjelljen e saj në këtë ndeshje të fundit duke favorizuar një skuadër për të shkuar në Europë dhe duke penalizuar një tjetër. Një gjë të tillë e ka shprehur gjatë një lidhje direkte me emisionin “Fair Play” pasditen e sotme kur është shprehur:

“Tiranë vetëm festa i mungonte sepse titullin e kishte siguruar prej javësh dhe dje ishte momenti për të gëzuar të gjithë pjestarët e kësaj skuadre, tifozët, familjarët dhe e gjithë familja bardheblu.

E vetmja gjë që nuk më pëlqeu ishte që kjo ndeshje e fundit duhej të ishte një 90 minutësh si gjithë të tjerët. Nëse familja bardheblu do të ishte si ajo familja që unë njoh, do të ishte më “fair”. Kjo sepse të gjithë ekipet janë edhe miq, por edhe kundërshtarë.

Përveç festës, nuk më la ndonjë shije tjetër ky 90 minutësh sepse në fakt i bën dëm Tiranës dhe askujt tjetër. Kjo sepse Tirana duhet të jetë e drejtëpërdrejtë me të gjithë ekipet dhe jo të sillet me njërën e nënës dhe me tjetrën e njerkës. Di të them se kampionati i ri vjen shpejt dhe Tirana duhet ta përgatisë si duhet atë, sepse ekipet e tjera do ia kthejnë më së miri reston.

Jemi në vitin 2022 dhe nuk i shkon asnjë ekipi shqiptar të bëjë të tilla tolerime në ndeshjet e javës së fundit dhe prandaj është koha për të dhënë alarmin. Duke vepruar në këtë mënyrë në kampionatin shqiptar, do të dështojmë në Kupat e Europës. Nuk është aspak normale që një ekip kampion të sillet me 2-3 ekipe si kampion dhe me 2-3 ekipe të tjera kampion, është vërtetë për të ardhur keq”.

Sa i takon finales së kupës në mes Vllaznisë dhe Laçit, Saimir Patushi është shprehur: “Kjo ndeshje do të përcaktojë edhe ekipin e katërt që do të shkojë në Europë, nëse do të jetë Vllaznia apo Kukësi. Ato kanë patur shumë oshilacione gjatë gjithë kampionatit dhe si rrjedhojë tashmë presin rezultatin e finales.

Në fakt, Vllaznia e ka vetë veten në dorë. Por në finale, të dy ekipet vijnë dy ekipe të mirëorganizuara, por më duhet të them se shkodranët kanë më shumë eufori dhe ndoshta edhe dëshirë për të fituar sepse e kanë për detyrë këtë gjë. Në rast dështimi, do të ishte një dëm shumë i madh për klubin Vllaznia. Prandaj mendoj se ajo do të ketë më shumë dëshirë për fitore, por të mos harrojnë se Laçi sivjet është treguar një skuadër shumë e fortë.

Ai është një kockë e fortë për çdo ekip dhe do të jetë e vështirë për ta mundur, por po të shikosh matematikën, futbollin e luajtur, mund të them se Vllaznia do të ketë një marsh më shumë në këtë ndeshje për ta fituar atë dhe e uroj me gjithë shpirt që Vllaznia ta fitojë këtë trofe”./SHKODRA-SPORT.COM/