Aventura e një prej lojtarëve që u larguan nga Partizani drejt kampionatit turk, ka marrë një kthesë të papritur. Mediat turke raportojnë se klubi i Samsunspor, është gati të largojë mbrojtësin Esin Hakaj, pasi për momentin nuk bën pjesë në planet e klubit.

Me mbylljen e sezonit, mbrojtësi shkodran u shpall lojtar i lirë dhe vendosi të largohej nga Superiorja për të provuar një eksperiencë jashtë. Ai gjeti marrëveshjen me Samsunspor, ku pak kohë më parë kishte firmosur edhe Eraldo Çinari.

Por ndërsa sulmuesi duket se ka bindur drejtuesit e klubit, raportohet se e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Hakajn. Sipas mediave turke, Samsunspor, nuk e ka regjistruar Hakajn në listën e lojtarëve për sezonin e ri dhe është gati ta dërgojë në këtë edicion në huazim në një klub tjetër, edhe pse futbollisti nënshkroi një kontratë 3+1 vite me klubin turk.

Tani mbetet të mësohet destinacioni i Hakajt, i cili ka pasur disa oferta nga Superiorja para se të firmoste në Turqi.