Vllaznia është një çështje e të gjithë shkodranëve dhe për më tepër e atyre që merren me futboll. Ish-zv/trajner i skuadrës dhe gjithashtu një ish-lojtar, Samuel Nikaj, vendos të japë opinionin e tij për ekipin e sezonit që u mbyll dhe atë që pritet të ndërtohet në vazhdim.
Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, specialisti që ngjit skuadrat në elitë deklaron se nuk ka ndërmend që ta marrë drejtimin e Vllaznisë për aq kohë sa ajo të drejtohet nga Bashkia e Shkodrës. Në tri sezonet e fundit, Nikaj arriti të ngjiste në elitë tri skuadra. Fillimisht ngjiti Flamurtarin e Prishtinës, më pas Kastriotin e Krujës në sezonin e kaluar dhe tashmë edhe Vushtrrinë në Superligën e Kosovës.
Nikaj, një tjetër sukses i juaji në Kosovë. Pas Flamurtarit një tjetër arritje me Vushtrrinë që e ngjitët në Superligë. Cili është çelësi i këtij suksesi?
Të them të drejtën jam shumë i kënaqur pasi për të tretin vit radhazi kam të njëjtin sukses, por këtë vit më ka shijuar më shumë jo se titulli i fundit është më i bukuri, por se e fituam kundër dy superskuadrave si Besa dhe Vllaznimi, që po t’i krahasojmë, janë si Tirana dhe Vllaznia, pra klube të traditës dhe të titulluara në Superligën e Kosovës. Mendoj se çelësi i suksesit në këto vite është ajo që kam arritur t’i bëj skuadrat të më ndjekin në filozofinë time që kam për futbollin.
Edhe Vllaznia u rikthye në Superiore. Si e vlerësoni ecurinë e saj në sezonin e fundit?
E përsëris që Vllaznia e ka pasur rrugën më të lehtë se Bylis, sepse dy ekipet pretendente, Besa e Egnatia kaluan nga jugu. Gjithashtu, kjo u pasqyrua edhe në finale. Të gjithë ne pamë një Bylis shumë superior pasi skuadra ballshiote edhe në grupin ku ishte, pati garë deri në fund, ndërsa Vllaznia e siguroi shpejt Superioren dhe normalisht që i ra motivimi dhe përqendrimi për një finale. Në dukje ishte një takim që nuk ka rëndësi të madhe, por mendoj se 30 milionë lekë të vjetër do ta kishin ndihmuar klubin në aspektin financiar.
Pas ngjitjes, si e shikoni të ardhmen e kësaj skuadre?
Tani vjen pjesa më e vështirë, riorganizimi për Superioren do punë të madhe dhe investime më të mëdha. Prandaj, sa më shpejt duhet të rinisë puna që mos të shohim një Vllazni për mbijetesë, sepse është e tepërt për popullin e Shkodrës.
Shtohen më shumë vështirësitë, pasi klubi thekson se vetëm 2 apo tre lojtarë janë nën kontratë?
Për sa i përket kësaj, nuk shqetësohem sepse lojtarët që janë pa kontratë, e di që Vllazninë e kanë zgjedhje të parë për vetë emrin e madh që ka. Vllaznia duhet të bëjë afrimet e duhura, sepse ka disa vite që merkatoja lë shumë për të dëshiruar.
Çfarë duhet rregulluar që Vllaznia të mos vuajë sërish?
Mendoj se duhet rregulluar kërkesa e llogarisë në radhë të parë. E dyta, objektivat duhet të jenë madhorë të paktën për Europë dhe për këtë duhet një merkato e zgjuar jo e shumtë në numër, por shumë cilësore në ato pozicione ku do ndërhyhet, pasi Vllaznia për mendimin tim e ka bazën. Ne kemi një ekip të rinjsh cilësorë si dhe lojtarë shkodranë që luajnë në ekipe të tjera që mund të rikthehen me dëshirë dhe mund jenë një ndihmesë e madhe.
Nëse do t’ju kërkohej që të merrnit timonin e kësaj skuadre pasi si zv/trajner e keni drejtuar, do ta pranonit ofertën?
Vllaznia është ekip i madh dhe dëshira e çdo trajneri e për më tepër një shkodrani është që ta drejtojë këtë skuadër, por në situatën që ndodhet, unë e shoh të pamundur që mund ta ndihmoj. Prandaj jam i të njëjtit mendim që për sa kohë të jetë bashkia në drejtim të klubit, nuk do pranoj asnjë lloj posti në këtë klub.
Ku mund ta shohim Nikën sezonin e ardhshëm. Mund të jeni sërish në Kosovë?
Moralisht më takon që të ulem në bisedime me ekipin e Vushtrrisë nëse do të ketë një projekt serioz për të luftuar për Europë, do të rinovoj me të. Në të kundërt, do shqyrtoj çdo ofertë që më bëhet pa dallim kategorie, sepse edhe më parë kam pasur oferta për të drejtuar në Superiore ekipe që luftonin për mbijetesë, por nuk kam pranuar dhe kam preferuar skuadra të Kategorisë së Parë që kanë luftuar për elitën. Prandaj, edhe këtë vit nuk përjashtohet mundësia që të vazhdoj të drejtoj në Kategorinë e Parë nëse do jetë ndonjë projekt që më bind si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.