Samuel Nikaj, trajner i Vushtrisë në Kosovë, por edhe ish-trajner tek Vllaznia para disa sezonesh foli së fundmi për suksesin në kupë të kuqebluve. Ish-trajneri edhe Burrelit apo Kastriotit u shpreh se ndeshja shkoi sipas parashikimeve të tij personale dhe pa si fitues me plot meritë shkodranët.

Nikaj tha: “Ishte një ndeshje që siç e mendova në fillim ashtu edhe shkoi. E parashikoja se finalja do shkonte në shtesë dhe ndoshta edhe në penallti. Vllaznia mori një goditje të shpejtë me golin që pësoi që në fillim, gjë që i komplikon shumë ndeshjet e sidomos finalet. Di të them se bënë diferencën aftësitë individuale.

Goli i Adilit nga distanca e largët ishte totalisht një aftësi e tija. Por edhe goli i parë i shënuar nga Hoxhaj u gatua nga aftësitë e Latifit që pas shpërthimit në krah të majtë dhuroi një kros mjaft të bukur.

Gjithashtu është fanella ajo që peshon shumë. Vllaznia ka një fanellë historike që peshon shumë dhe pavarësisht se Laçi është një ekip shumë i mirë në vitet e fundit, nuk mund të krahasohet me traditën e kuqebluve”.
Endri ÇINARI