Kategoria e Parë për moshat U-17 dhe U-19, luajti ditën e sotme dy ndeshje të prapambetura, ato ndërmjet Korabit dhe Scutarit. Kështu, ekipi shkodran ka marrë fitore me të dy skuadrat, si me U17, ashtu edhe me U19 në transfertën dibrane.
Kështu, Scutari U17 ka shkëlqyer ndaj Korabit dhe ka marrë vendin e dytë në renditje, duke kaluar Burrelin, që tashmë është në ndjekje të dy ekipeve shkodrane, Basania dhe Scutari.
17-vjeçarët e Scutarit e mbyllën historinë e ndeshjes në pjesën e dytë pak minuta para fundit, kur shënuan tre gola të shpejtë. Në fakt, në minutën e 3-të, ishte Zhuzhi që kaloi në avantazh Korabin. Megjithatë, Scutari u mundua të reagonte dhe ia arriti qëllimit, duke shënuar. Në minutën e 27-të, Hagrepi goditi drejt portës dhe barazoi shifrat për Scutarin.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, 1-1, ndërsa e dyta do të ishte krejt ndryshe nga e para. Në minutën e 69-të, ishte Tyrbetari që kaloi në avantazh Scutarin dhe dyfishoi shifrat për ekipin e tij.
Korabi u mundua të reagonte, por ishte sërish ekipi i Scutarit që shënoi. Pak minuta më pas, më konkretisht në të 77-tën, ishte sërish Hagrepi që realizoi golin e tretë dhe të sigurisë për Scutarin.
Kaq ka mjaftuar dhe Scutari ka shënuar sërish edhe një gol tjetër. Brenda 7 minutash është shënuar edhe goli i katërt dhe i fundit i ndeshjes, sërish me anë të Tyrbetarit, që shënoi në minutën e 84-të, duke bërë që rezultati të thellohet së tepërmi, teksa gjithçka përfundoi me shifrat 1-4 për Scutarin, që ndodhet në vend të dytë pas 17 javësh kampionat me 40 pikë.
Diferenca me vendin e parë, që renditet Basania, është vetëm një pikë, ndërkohë që po e njëjta diferencë është edhe me ndjekësit e Burrelit, që renditen të tretët.
Ndërkohë, nga ana tjetër edhe Scutari U19, ka luajtur po në Dibër, po ndaj ekipit të Korabit dhe ka fituar me rezultatin 0-1. Protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë Qeleshi, që ka shënuar golin e vetëm në këtë takim. Duhet thënë se 8 minuta para shënimit të golit nga Scutari, ka pasur edhe një penallti të humbur nga ana e tyre, me anë të futbollistit Frani.
Me gjithë përpjekjen e të dy ekipeve deri në fund, nuk pati ndryshim të rezultatit, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej në shifrat 0-1 për Scutari U-19. Me këtë fitore, Scutari U19 është ngjitur në kuotën e 19 pikëve, duke mbajtur vendin e shtatë në renditje.
Maringlen ZHIVANI