Roberto Mancini dha dorëheqjen gjatë ditës së diel nga posti i trajnerit të kombëtares së Italisë. Edhe pse kishte edhe tri vite kontratë me katër herë kampionët e botës.

Tekniku 58-vjeçar e mbylli aventurën në stolin e kaltër me 61 ndeshje dhe një Europian (Euro 2020) të fituar. Teksa gjatë pesë viteve në rolin e teknikut të Kombëtares, u dha mundësinë shumë lojtarëve të debutonin me Italinë.

“Dorëheqja si trajner i Kombëtares ishte zgjedhje personale. Falënderoj Presidentin Gabriele Gravina për besimin, së bashku me të gjithë anëtarët e FIGC (Federata Italiane e Futbollit).

Përshëndes dhe falënderoj të gjithë lojtarët dhe tifozët që më kanë shoqëruar në këto 5 vite. Do të mbaj gjithmonë në zemër fitoren e jashtëzakonshme të Kampionatit Evropian 2020”, deklaroi Mancini.

E ardhmja e trajnerit italian pritet të jetë në Arabi. Drejtuesit e futbollit arab i kanë ofruar stolin e Kombëtares. Nëse pranon do të fitojë rreth 60 mln euro në sezon!