Serbët po kalojnë një tetor mjaft të ngarkuar, pas humbjes 0 me 1 ndaj Shqipërisë. Radhën për t’u sulmuar e ka presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, i cili së fundmi kishte një vizitë në Kosovë.
Mediat dhe tifozët serb, po kapen me deklaratën e Infantinos për sa i pëket disa futbollistëve që mund të ishin pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Shaqiri është përmendur si shembull, pasi ka ruajtur lidhjen e fortë me Kosovën.
“Për shumë lojtarë nga Kosova që kanë lindur dhe janë rritur jashtë vendit, sigurisht që ka pasur shumë ndikime dhe histori të ndryshme. Siç e dini, shumë prej tyre, kur Kosova nuk njihej ndërkombëtarisht, luanin për ekipin kombëtar të Zvicrës.
Për shembull, si Xherdan Shaqiri dhe të tjerë. Ata ishin ndër lojtarët më të mirë që mund të luanin ndonjëherë për Kosovën, por Kosova në atë kohë, për fat të keq, nuk njihej ndërkombëtarisht.
Të gjithë këta lojtarë ndiejnë një lidhje të fortë me Kosovën sepse prindërit e tyre u detyruan të shpërnguleshin në një vend tjetër. Megjithatë, ata u rritën dhe janë ende shumë të lidhur me vendin e tyre”, shprehej Infantino.