✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Bekim Balaj vijon të jetë vendimtar tek Vllaznia dhe personazhi kryesor që po ndihmon kuqeblutë në udhëheqjen e kampionatit. Edhe njëherë ndaj Dinamos sulmuesi u ngjit në “piedestal”, duke qenë vendimtar me golin e tij. Që rezultoi të ishte i vetmi i gjithë takimi dhe i siguroi kuqebluve 3 pikët ndaj një rivali direkt për titullin kampion. Me rrjetën ndaj dinamovitëve, 34-vjeçari u ngjit në kuotën e 7 golave deri më tani në Superiore.
Duke qenë kështu shënuesi më i mirë në elitën e futbollit shqiptar e teksa ndjekësit më të afërt i numrit “9-të” janë Diallo, Tabeku dhe Karrica, të gjithë në kuotën e 4 golave pas 11 javësh në kampionat. Forma e mirë e Balajt vërtetohet edhe nga statistikat e ndeshjeve të fundit në kampionat, ku ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare ka shënuar 3 gola në 4 ndeshjet e fundit në kampionat. Duke gjetur golin në fitoren 3-1 ndaj Tiranës, barazimin 2-2 ndaj Egnatias dhe së fundmi në suksesin 1-0 kundër Dinamos.
Teksa shtatlarti në javët e fundit nuk ka shënuar vetëm në humbjen 1-0 të Vllaznisë ndaj Flamurtarit. Patjetër në rradhët e shkodranëve ndihen me shumë fat që në gjirin e tyre kanë një sulmues si Balaj, që është një garanci për golat dhe që realisht iu mungon ekipeve kundërshtare të kuqebluve. Të cilat prej vitesh po “vuajnë” të gjejnë një “bomber” të nivelit të shkodranit. I cili me statistikat dhe golat e tij ka vënë në “shënjestër” sërish “Këpucën e Artë” të kampionatit, si shënuesi më i mirë i tij.
Ku në edicionet 2023-24 dhe 2024-25, Balaj ka qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit, ku në të dy sezonet ka shënuar nga 17 herë, rekord të cilin do synojë t’a kalojë gjatë edicionit 2025-26.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







