Ish-futbollisti Ylli Shameti, i ftuar në “Sport News Plus” analizoi kryendeshjen e kësaj jave në Superiore, atë mes Partizanit dhe Vllaznisë që u mbyll në barazim 1-1.
Sipas tij, Vllaznia po bën atë që duhet, pasi nuk ka humbur në takime të komplikuara ndaj rivalëve me pretendime. Njëkohësisht, ai theksoi se pritej pak më shumë nga Partizani, një ekip i kolauduar falë paraqitjeve në Europë.
“Që të jesh pretendent, nuk duhet të humbasësh. Vllaznia po e bën këtë. Në ndeshjen e parë fitoi, pastaj barazim me Teutën, barazim në transfertë është i mirë dhe që rrit psikologjinë.
Janë kristalizuar dhe grupi është harmonizuar dhe kjo është e mirë për vazhdimin e kampionatit. Uroj që të mos bëjë gabimet e vitit të kaluar, ku në një moment ndoshta nga moseksperienca lëshuan.
Partizani duhej ta niste pak më mirë kampionatin, pavarësisht se pjesa bazike e ekipit është rinovuar dhe ndoshta duan kohën e tyre të harmonizohen. Por një ekip që ka luajtur në Europë, duhet të jetë një hap më para se ekipet e tjera”, tha Shameti.