Nëse ka patur njeri që e ka vuajtur me zemër çdo rezultat të Vllaznisë, padyshim që ai ka qenë profesor Ymer Striniqi. Në komentim gjithmonë mundohej të ishte asnjanës sepse i tillë ishte profesioni ku duhej të tregonte paanshmëri. Por vitet e fundit kur si shikonte ekipin e tij të zemrës- Vllazninë duke vuajtur, sigurisht që nuk ndihej mirë. Sidomos kur pësonte gola krejtësisht të evitueshëm dhe prej gojës së tij ka dalë shprehja e “sharabajkës” të cilën ai e përdorte shumë shpesh.

“Në mbrojtjen shkodrane kundërshtari hyn me sharabajkë” dhe askush nuk të thotë gjë”- shprehej me keqardhje komentatori i mirënjohur. “Sharabajka” për të gjithë ata që nuk ia dinë kuptimin është një karrocë e madhe. Çka nënkuptonte se në mbrojtjen kuqeblu mund të hysh lirshëm dhe askush nuk të ndal. Një shprehje e tillë e profesor Striniqit zë vend më shumë se kurrë sivjet. Në 16 ndeshje, skuadra shkodrane ka pësuar plot 22 gola. Më shumë se kaq ajo nuk kishte pësuar prej 14 vitesh. Ndiqni më poshtë statistikat e mëposhtme të pësimit të golave të Vllaznisë në 16 ndeshjet e para të çdo kampionati:

Golat e pësuar nga Vllaznia në 16 javë:
2017-2018 22 gola
2016-2017 14 gola
2015-2016 21 gola
2014-2015 16 gola
2013-2014 20 gola
2012-2013 16 gola
2011-2012 18 gola
2010-2011 14 gola
2009-2010 20 gola
2008-2009 13 gola
2007-2008 16 gola
2006-2007 15 gola
2005-2006 21 gola
2004-2005 22 gola
2003-2004 28 gola

© shkodrasport.com