Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, është shprehur optimist se sezoni futbollistik do të vazhdojë më me normalitet në këtë javë që fillon, si pasojë e tryezës së rrumbullakët që klubet dhe FSHF do të zhvillojnë me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar dhe forcat e rendit.
“Klubet janë të lajmëruar dhe kalendari është ai që është caktuar. Besoj se me këtë mbledhje do të gjendet akordi dhe do të ketë vendim edhe nga Shoqata e Arbitrave e vazhdojë normalisht sezoni sipas kalendarit me ndeshjet e Kupës në mesjavë”, tha Nurishmi për “SuperSport”.
“Kjo tryeze, ky takim u organizua sa më shpejt për të krijuar mundësinë që të mos ketë më ndalesa dhe besoj se ditën e hënë do të merret një vendim sa i përket policisë së shtetit për ta pasur brenda stadiumit”, shpjegoi ai.
Ndërkaq, Nurishmi theksoi gjithashtu se ishte thuajse e pamundur që të plotësoheshin të gjitha kërkesat që kishte policia sa i përket sigurisë në stadiume.
“Duhet të dini se është e pamundur që të pajisen të gjitha stadiumet me kamera, sidomos ato në kategoritë e ulëta. Jetojmë në kushtet e Shqipërisë dhe në disa vende është e pamundur të bëhet një gjë e tillë”, theksoi ai. /vipsport/