Tirana mori një fitore të pastër teksa mposhti 3-0 në kryeqytet Kastriotin. Pas kësaj sfide, trajneri i bardhebluve ka folur për emisionin Gol Pas Goli në Supersport, ndërsa thekson është e rëndësishme që momentet e vështira t’i kalojë sa më shpejt, ndërsa shton se nuk mund të prishë balancat e skuadrës duke lënë jashtë Limaj dhe Totre.
Sa i kënaqur je me sulmin që funksionon- “Është pozitive kur shënojnë sulmuesit, pasi ata e duan golin. Jam i kënaqur për Taulantin dhe Ngoo që shënoi sërish pas javës së kaluar. Çdo trepikësh është i rëndësishëm, ne e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Nuk e pamë Kastriotin si të fundit të tabelës, por e vlerësuam shumë”.
Pas humbjes me Kukësin dhe barazimit me Skënderbeun, a erdhën në momentin e duhur ndeshjet me Egnatian dhe Kastriotin? “Për objektivat që kemi është shumë e rëndësishme vazhdimësia. Çdo skuadër kalon një ngërç, por nuk duhej të zgjaste shumë ky ngërç. Por, këto fitore na kthejnë në rrugën e duhur. E rëndësishme është që të tilla momente t’i kalosh sa më shpejt”.
Freskia e mesfushës duket sikur ka rënë? “Sigurisht që dihen vlerat e Limaj dhe Totre dhe bazohemi te ata. Ndeshjet janë afër dhe do të provojmë t’i rikuperojmë, por manovra duhet të funksionojë dhe të mos prishen balancat. Do të shohim në vazhdim si mund t’i shplodhim, por nuk mund t’i lejmë jashtë sepse na duhen pikët dhe nuk duhet të zhbalancohemi”.
Mos duhet Seferi të luajë më në qendër, pranë Ngoo? “Ne kemi ndryshuar në vazhdimësi të kundërshtarëve, e nisëm me 4-2-3-1 dhe kaluam në 4-3-3. Seferi është më efikas në krah, duke u futur më pas në qendër, aty është më i rrezikshëm. Është edhe Totre që luan afër Ngoo. Nuk duam ta vendosim fillimisht aty Seferin, por le të vijë në befasi. Ka pas ndeshje që ka luajtur edhe në qendër, ai i bën të dyja rolet, por edhe mbrapa sulmuesit. Por, në këtë organikë që kemi funksionon më mirë kështu”, u shpreh Shehi.