Në prag të ndeshjes me Skënderbeun, për mediat ka folur edhe mbrojtësi Dajan Shehi. Ka ardhur tek Vllaznia në fillim të sezonit dhe përgjithësisht është paraqitur mirë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi shtatëlartë thotë se vendi i skuadrës shkodrane nuk është ai ku ndodhet aktualisht dhe për të vërtetuar këtë, duhet të nisë kthesa që nesër me një fitore ndaj korçarëve.

“Na pret një përballje shumë e vështirë, kundër një Skënderbeu që po bën mirë këtë vit. Por ne besojmë se do të dalim me kokën lart nga kjo ndeshje. Shpresojmë të arrijmë tek fitorja, ndonëse e dimë që misioni nuk do të jetë i lehtë, pasi është një duel që secila skuadër kërkon pikët maksimale për t’iu larguar vendeve të fundit. Gjithsesi jemi të mobilizuar dhe do të luftojmë deri në frymën e fundit”- ka thënë ai në fillim të prononcimit të tij.

I pyetur nëse do të vijë rrokada me korçarët në renditje pas ndeshjes së nesërme, mbrojtësi Shehi përgjigjet: “Për këtë luhet kjo ndeshje. Vllaznia do parakalimin e Skënderbeut në renditje, e këta të fundit duan shkëputjen nga ne. Duhet të tregojmë shpirt gare, pasi për ne është një finale.

Nuk na lejohet asnjë hap fals, pasi do të bëhet shumë më e vështirë më pas. Duhet të kemi kujdes sulmin e Skënderbeut, pasi janë shumë të rrezikshëm”.

Në lidhje me konkurrencën tek Vllaznia, përfshi këtu edhe repartin e mbrojtjes, shtatëlarti i ardhur në fillim të sezonit tek Vllaznia ka shtuar: “Konkurrenca i bën mirë çdo lojtari dhe çdo ekipi, vetëm kështu motivohesh dhe jep më të mirën në stërvitje dhe ndeshje. Besoj se po i vlen shumë Vllaznisë. Me Malotën kam gati një vit që luajmë dhe kuptohemi shumë mirë me njëri- tjetrin.Sëbashku e kemi mbajtur të paprekur portën për shumë ndeshje dhe shpresoj që të ndodhë kështu edhe ndaj Skënderbeut”.

Vllaznia e Skënderbeu konsiderohen dy ekipet rivale për zonën play- out, por Dajan Shehi mendon ndryshe kur thotë: “Për zonën play-out shikoj 6 ekipe të rrezikuara dhe ai që do të gabojë më shumë, do t’i duhet të bëjë edhe një ndeshje ekstra. Di të them vetëm që nëse mbesim në vendin e 8-të, do të ishte një dëmtim i madh për Vllazninë.

Ne jemi ndërtuar për të shkuar në Europë. Shpresojmë që të shkojmë, do të ishte diçka e bukur për ne dhe tifozët. Kam shumë besim se deri në fund të sezonit, objektivi ynë do të jetë i arritur. Gjithmonë ka vend për të bërë më mirë, por me punë e përkushtim do përpiqemi çdo ditë e më shumë që të shkojmë aty ku duhet”.
© shkodrasport.com