Renato Spahiu ishte një nga kataliza torët e fitores që Bylisi mori në Shkodër. 22- vjeçari hyri si zëvendësues në fushë, por rezultoi rezultativ për pesë minuta ku shënoi golin e barazimit. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Spahiu pohoi se Bylisi arriti t’i marrë hakun Vllaznisë, duke e mundur siç bënë shkodranët në Ballsh në fund të ndeshjes.
“Ishte një fitore e vështirë, por që na kënaq së tepërmi në këtë pjesë të kampionatit. Të jem i sinqertë, nuk e kisha menduar se mund të merrnim maksimumin në këtë përballje, por pas golit të barazimit dëshira u rrit ndjeshëm për një gjë të tillë. Mendoj se skuadra ka bërë më të mirën në këtë përballje. Kjo fitore ishte si një kundërpërgjigje e saj fitoreje të arritur nga ana e Vllaznisë në Ballsh.
Ata u gëzuan në minutat e fundit dhe këtë bëmë edhe ne në këtë takim. Fati kësaj here nuk ishte me Vllazninë, por me Bylisin. Ishte një fitore shumë e bukur për sa i përket vazhdimësisë dhe pozicionit ku ne ndodhemi. Megjithatë, dua të them se asgjë nuk ka ndryshuar dhe luftën për mbijetesë me rivalët direktë do ta zhvillojmë deri në fund. Tani na mbetet që të përqendrohemi te ndeshja e radhës”, u shpreh Spahiu për gazetën.
LUTJA PËR PENALLTINË
Në prononcimin e dhënë për emision “Gol pas Goli”, Renato Spahiu zbulon edhe bisedën që pati me trajnerin Dovedan, ku ai dëshironte të gjuante penalltinë në fund, por që nuk ndodhi. “Golin ia dedikoj familjes sime që është larg, por edhe zv.trajnerit Kuli që më ndihmoi të merrja veten për të arritur në këtë nivel dhe për të konkurruar me lojtarët e ekipit.
I godas shumë mirë penalltitë. I thashë trajnerit: ‘Ma lër ta godas, në qoftë se nuk e bëj nuk do të luaj më kurrë’. Kisha shumë besim, por më thanë që ishte e vendosur, nuk bëhej. Kështu që, e miratova”, u shpreh Spahiu.