Ndeshja e sotme mes Leçes dhe Kaljarit, surprizës së Serisë A, është shtyrë për ditën e nesërme dhe shkak është bërë shiu i rrëmbyeshëm që nuk ka pushuar prej orësh mbi stadiumin “Via Del Mare”.
Kaljari është një nga skuadrat më argëtuese të këtij sezoni, pasi falë gabimeve të ekipeve të tjera të kreut, por edhe lojës mjaft të mirë që ka shfaqur nën drejtimin e Maran, kishte arritur të siguronte një nga vendet që çonin në zonën e Ligës së Kampioneve.
Rezultati i këtij ekipi i interesonte sidomos dy skuadrave të qytetit të Romës, të cilat e kishin kapërcyer sot në renditje dhe vetë Kaljari ka insistuar që të mos zbriste në një terren të papërshtatshëm ku uji bënte të pamundur të zhvillohej normalisht ndeshja.
Gjyqtari bëri tre herë radhazi provë nëse topi kërcente dhe në fund vendosi shtyrjen e takimit për ditën e nesërme, duke shpresuar që deri në orën 18:00, kur pritet të fillojë dueli, situata meteorologjike të ishte përmirësuar dhe që Kaljari të zbriste në fushë për të tentuar që të rimerrte vendin e tretë në klasifikim. /vipsport/