Ivan Xhenaro Gatuzo nuk do të jetë trajneri i Milanit në edicionin 2019-2020. Lajmi është përhapur me shpejtësi në mediat italiane gjatë darkës së të hënës dhe tashmë ka filluar diskutimi se kush do të jetë pasardhësi i tij.
Gatuzo kishte një takim në ambientet e klubit me Ivan Gazidis, me të cilin ka diskutuar planet e të ardhmes. Sipas mediave italiane, nuk është gjetur gjuha e përbashkët për të vazhduar bashkë dhe sot, me përjashtim të ndonjë surprize të madhe nga pronarët e klubit, do të zyrtarizohet lamtumira e trajnerit.
Me pak fjalë, vazhdon spastrimi në klub i personave të emëruar vetëm një vit më parë, pasi Gazidis kërkon që të afrojë njerëzit e besuar të tij. Bashkë me Gatuzon nesër largohet edhe Leonardo ndërsa mbetet ende në strukturat e kuqezinjve Maldini. Për të dy të larguarit do të ketë një dëmshpërblim financiar për kontratën e lënë në mes.
Në mediat italiane ka filluar diskutimi për pasardhësin dhe kandidatët më të mundshëm janë tre: Xhiamapaolo, Inzagi dhe Zhardim i Monakos. /vipsport/