Kukësi arriti të merrte një fitore të artë 0-1 ndaj Dinamos në transfertë. Sfida e zhvilluar në “Air Albania” u vendos nga një supergol i shënuar nga Basa në pjesën e parë dhe verilindorët arritën të ruanin deri në fund rezultatin. Dinamo zhgënjeu me paraqitjen, ndërsa trajneri Bledi Shkëmbi në emisionin “Gol pas Goli”, u shpreh:

Goli? “Ishte një gabim, një moment shpërqendrimi. Duhet ta kishim zgjidhur më mirë këtë rast pasi deri në ato momente e kishim lojën në kontroll. Më pas tentuam të barazonim, por nuk arritëm të shënonim edhe pse tentuam disa herë”.

Sulmi? “Në futboll asnjeherë lojtarët nuk janë të gjithë në 100%. Jam i kënaqur me skuadrën dhe dua t’i komplimentoj për paraqitjen e tyre. Mendoj se e humbëm ndeshjen në 10 sekondat e golit pastaj pjesa tjetër e ndeshjes ishte perfekte. Në fushë bëmë atë që kishim përgatitur, kundërshtari na rrezikoi në një apo dy raste. Mos të harrojmë që Kukësi në çdo ndeshje ka patur shumë raste, ndërsa sot ishte e kundërta.

Nuk më pëlqen që lojtarët të vuajnë në ndeshjen e parë në Tiranë pasi janë lojtarë profesionist. Mendoj se disa lojtarë e ndjejnë presionin dhe me pak qetësi mund ta kishim fituar këtë ndeshje.

Jam i mërzitur për rezultatin pasi për pjesën tjetër nuk jam. Dinamo sot ishte ajo që prisja unë dhe ekipi. Kemi një aset në ekip si Ibraimi dhe mendoj se veç golit bëri gjithçka mirë sot. Në momente të veçanta një lojtar si ai i bën gjërat si i mendon ai dhe jo si e mendojmë ne nga jashtë. Me punën në stërvitje do mundohemi t’i eleminojmë rastet e gabuara.

Mihana, Haxhiu, Chinedu apo e disa të tjerë janë të rinj dhe nuk e di sa kohë u duhen për të përballur pretendimet e Dinamos për titull. Po rriten nga dita në ditë dhe mendoj se deri në fund të kampionatit do të rritën akoma më shumë dhe do të ndryshojnë shumë karakterin. Futbolli do edhe pak kohë edhe pse disa e kuptojnë apo disa jo”, u shpreh Shkëmbi./newsport/