Shkodra dhe shkodranët i kanë dhënë lamtumirën e fundit sot djalit të tyre, Zamir Shpuzës. Dita e sotme ka qenë e rëndë për familjen e tij teksa kanë përcjellë për në banesën e fundit një 45 vjeçar shumë më përpara sesa duhej por Zoti kështu dukej se e kishte shkruar. Trupi i tij ka mbërritur nga Gjermania në aeroportin e Rinasit paraditen e sotme dhe menjëherë është nisur drejt Shkodrës teksa në familjen Shpuza kishte shumë njerëz. Pas zhvillimit të ceremonive të rastit, arkivoli me trupin e tij është drejtuar drejt Prefekturës teksa në hollin e saj në orën 13.30 kanë nisur homazhet që kanë zgjatur për 60 minuta. Klubi i Futbollit Vllaznia dhe Bashkia Shkodër kishin marrë të gjitha masat që nderimet t’i bëheshin ashtu si duhet kësaj figure të njohur të futbollit. Në këto homazhe kanë marrë pjesë me qindra e qindra qytetarë të Shkodrës, shokë, miq e familjarë të tij. Kanë qenë të pranishëm shumë tifozë të cilët vite më parë brohorisnin për Zamirin në fushën e lojës ndërsa këtë herë ishin të detyruar t’i jepnin lamtumirën e fundit. Flamuri i Vllaznisë, ai kombëtar dhe fotoja e Tutos kanë qenë të vendosura në pjesën ballore të hollit ku u bën homazhet. Mbi arkivol, ka qenë fanella kuq e blu e Vllaznisë me emrin e Zamir Shpuzës dhe numrin 5 në të, numër me të cilin ai ka luajtur. Kanë hyrë një e nga një duke bërë homazhe edhe shumë figura të njohura të futbollit shkodran e atij shqiptar. Mes njerëzve të shumtë ka spikatur edhe ekipi i Vllaznisë. Kapiteni Belisha në emër të klubit ka vendosur kurorën pranë arkivolit dhe më pas, ai dhe gjithë të tjerët janë përkulur me nderim para tij. Kanë asistuar edhe drejtuesit më të lartë të pushtetit lokal të cilët kanë vënë tufa me lule mbi arkivol dhe duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta tek familjarët e tij.Kishin ardhur nga Gjermania për ta përcjellë për në banesën e fundit shokët dhe miqtë e tij të ngushtë, Ardian Bushati, Edmir Bilali, Agron Lika, Çlirim Basha etj. Dhimbja ka qenë e madhe megjithatë në krah të Luanit, ka qenë djali i madh i Zamirit i cili dukej qartë se kishte filluar të burrërohej para kohe. Ndoshta i detyruar sepse Zoti ia mori me vete të atin. Megjithatë ai është ndjerë krenar për të. E kjo është dukur qartë në fjalët që të gjithë ish- futbollistët e intervistuar kanë thënë për Zamirin. Pas homazheve, të gjithë sëbashku i janë drejtuar varrezave të qytetit, aty ku është përcjellë për në banesën e fundit Tuto Shpuza. Sigurisht duke lënë pas një emër të mirë tek të gjithë. E ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi: Pushofsh në paqe KAMPION!

© shkodrasport.com