Në kalendar është Tirana-Vllaznia, por do të luhet të dielën në Shkodër në orën 16:00! Kjo është një nga “çuditë” e “klasikes” për shkak të paktit që bënë klubet (u miratua nga FSHF-ja) për ndërrimin e fushave që në fazën e dytë, por përtej kësaj, pas 20 javësh kampionat, dy skuadrat më të vjetra të futbollit shqiptar luajnë një ndeshje për titull.

Jo sepse pas këtij 90-minutëshi do të vendoset ekipi që shpallet kampion, por për atë se rezultati që do të prodhojë mund të jap një indicie të fortë për vazhdimësinë e skuadrave në sprintin final të sezonit, kur mbeten edhe 15 javë për t’u luajtur.

Megjithatë, renditja flet shumë dhe fakti që Tirana është e shkëputur me gjashtë pikë nga ndjekësit më të afërt, Vllaznia dhe Partizani, tregon jo vetëm për avantazhin moral dhe psikologjik që ka ndaj rivalëve, por edhe shansin për të luajtur me llogari në ndeshjet direkte ndaj tyre.

PRESIONI TE VLLAZNIA Në dy ndeshjet e para që ekipet kanë luajtur për këtë kampionat, Vllaznia ka arritur të fitojë një herë 1-2 në “Selman Stërmasi”, ndërsa takimi i fazës së dytë në të njëjtin stadium ka përfunduar 0-0.

Skuadrat janë përballur edhe në finalen e Superkupës në muajin dhjetor, kur Tirana fitoi 3-2 në kohën shtesë. Duke iu referuar edhe paraqitjes që kanë bërë shkodranët në përballjet e fundit me bardheblutë, skuadra e Josës e di si fitohet në “klasike” dhe ka një anë psikologjike të mirë në duelet me kampionët në fuqi.

Mirëpo, këtë herë në ndryshim nga ndeshjet e fazës së parë dhe të dytë, presioni është i gjithi mbi Vllazninë.

Shkodranëve u duhet të fitojnë me çdo kusht për të shkurtuar diferencën në -3 pikë, pasi vetëm kështu mund të sulmojnë kreun dhe ëndërruar te titulli pas 22 vitesh mungesë.

Ndërsa barazimi i mundshëm i shkon përshtat vetëm ekipit të Orges Shehit. Bardheblutë kanë luksin të bëjnë llogari, duke luajtur edhe për një pikë. Nga ana tjetër, një triumf i Tiranës, do t’i jepte një bonus të madh në luftën për titull kryeqytetasve dhe mund të “vriste” deri diku kampionatin.

TIFOZËT, SI ARMA PLUS “Klasikja” vjen për Vllazninë në momentin më të mirë të saj.

Fitorja e fundit ndaj Kukësit riktheu qetësinë në Shkodër dhe i krijoi komoditetin ekipit dhe trajnerit Mirel Josa për ta përgatitur ndeshjen në mënyrën e duhur.

Fakti që janë rikthyer nga dëmtimet lojtarë të rëndësishëm si Liridon Latifi dhe Lorik Boshnjaku, e bën Vllazninë edhe më të fortë në këtë moment delikat të kampionatit.

Por, mbi të gjitha të dielën ndeshja që konsiderohet edhe si derbi i Shqipërisë mund t’i japë një shtysë të madhe Vllaznisë me një stadium plot.

Tifozët shkodranë janë arma plus për kuqeblutë në këtë takim, ku tri pikët për ekipin e Josës janë si një oksigjen për të shkuar drejt ëndrrës së titullit, teksa kanë kaluar dy dekada dhe kryeqendra e veriut nuk po e shijon dot.

Dy Kupat e Shqipërisë të fituara radhazi nuk mund të kënaqin plotësisht tifozët, pasi titulli kampion është tjetër gjë.