Kombëtarja e Shqipërisë U-21 ka luajtur në mbrëmjen e kaluar në Angli ndeshjen e rradhës, në eleminatoret e kampionatit europian për këtë grup-moshë. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, u mundën me rezultatin 3-0 nga një skuadër si Anglia, e mbushur plot me yje të rinj të futbollit anglez dhe një nga më të mirat në Europë.

E veçanta e kësaj ndeshje ka të bëjë me futbollistin shkodran, Klevis Bebeziqi, i cili i aktivizuar nga trajneri Bushi në pjesën e dytë, ka bërë një figurë shumë të mirë sportive, duke spikatur si një organizator i mirëfilltë në repartin e mesit të fushës. Mesfushori shkodran i Kombëtares U-21 është vlerësuar si futbollisti më i mirë i Shqipërisë në përballjen e djeshme ndaj Anglisë, që përfundoi me rezultatin 3-0.

Futbollisti, i cili aktivizohet me Olimpijën në Slloveni, u vlerësua me notën 6.8 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”, duke marrë notën më të lartë nga ekipi i Kombëtares U-21 për këtë ndeshje.

Bebeziqi, i dalë nga ekipet zinxhirë të futbollit shkodran, së fundmi me Akademinë Vllaznia, një vit më parë firmosi me ekipin Olimpija të Sllovenisë. Duke spikatur si titullar në kampionatin slloven, ku po luan me sukses për të dytin sezon me rradhë, ka tërhequr vemendjen e stafit të Kombëtares U-21, teksa Bebeziqi e ka justifikuar plotësisht besimin e trajnerit Alban Bushi.

Debutimin e parë me uniformën kuqezi të 21-vjeçarëve, Klevis Bebeziqi e bëri rreth një muaj më parë po ndaj Kombëtares së Anglisë, në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”.
Maringlen ZHIVANI