Futbollisti shkodran Roland Shkreli ka rezultuar pasditën e djeshme vendimtar për skuadrën e tij të Orikut. Ai ka shënuar golin e katërt dhe të fundit të ndeshjes, duke i dhënë në këtë mënyrë fitoren ekipit të tij. Megjithatë, kjo fitore nuk i ka shërbyer aspak Orikut, i cili tashmë ka rënë zyrtarisht nga Kategoria e Parë.

Takimi në mes Orikut dhe Lushnjës ka qenë shumë i luftuar, teksa këtë e tregon edhe fakti që gjyqtari Olsid Ferataj ka nxjerrë nga xhepi disa herë kartonin e verdhë, më konkretisht pesë herë. Megjithatë, në minutën e 89-të, ka qenë Roland Shkreli ai që ka shënuar, teksa me këtë gol i siguroi fitoren ekipit të tij, kur rezultati ishte 3-2.

Në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja është mbyllur me fitoren 4-2 të Orikut, i cili i falet kështu golit të shënuar nga futbollisti shkodran. Kujtojmë që, Shkreli është rritur si futbollist tek Ada e Velipojës. Ndërkohë që, më pas ka firmosur me Bylisin dhe tashmë luan si i huazuar tek Oriku.

Ndërkohë, pjesë e këtij ekipi janë edhe tre shkodranë të tjerë, siç janë Olsi Shema, Kabir Tahiraga dhe Eraldo Deda, teksa i pari u aktivizua në pjesën e dytë, ndërsa dyshja tjetër nuk u preferua në fushën e lojës as nga fillimi dhe as në pjesën e dytë nga trajneri Arlind Rrustemi.

Nga ana tjetër, edhe tek Lushnja luajnë dy shkodranë. Fjala është për dy qendërmbrojtësit Enes Isufi dhe Igli Çulaj, me të parin që e nisi si titullar këtë ndeshje, ndërsa i dyti nuk u aktivizua për asnjë moment në fushën e lojës. /Maringlen ZHIVANI/


Oriku-Lushnja 4-2

Golat: Dalanaj 34’, Barbosa 54’, Malko 67’, Shkreli 89’ / Haxhiu 74’, Pepa (pen) 84’

Oriku (4-2-3-1): Halilaj (Varfi 72’), Malko, Pereira, Carvalho, Zholi, Deliaj (kap) (Shema 72’), Kasaj, Dalanaj, Batista (Thioub 71’), Gjoka (Shkreli 64’), Barbosa (Abara 63’) (në dispozicion: Tahiraga, Deda, Merko) Tr: Arlind Rrustemi

Lushnja (3-5-2): Kaloshi, Isufi, Balla (Arapi 46’), Basha, Magani (Haxhiu 60’), Kananaj (Sadiku 60’), Samake, Levendi, Selita, Nuri (Hajdëraj 46’), Camko (kap) (Pepa 26’) (në dispozicion: Spaho, Llacja, Çulaj, Ruço) Tr: Klevis Dalipi

Arbitër: Olsid Ferataj

Kartonë të verdhë: Gjoka 45’, Pereira 49’, Varfi 83’, Thioub 87’ / Isufi 14’