Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Një tjetër emër i ri i është shtuar arbitrimit shqiptar. Klea Salaj është çertifikuar zyrtarisht si arbitre në futboll, duke hedhur një hap të rëndësishëm në një rrugëtim që kërkon disiplinë, karakter dhe përkushtim.
Ajo vjen nga një familje me traditë në këtë fushë, pasi është vajza e Dritan Salajt, ish arbitër asistent i FIFA-s dhe aktualisht Kryetar i Kolegjiumit të Arbitrave në Shkodër. Një emër i njohur që ka lënë gjurmë në arenën e arbitrimit, trashëgimi që tashmë duket se po vijon nga brezi i ri.
Çertifikimi i Kleas nuk përfaqëson vetëm një vazhdimësi familjare, por edhe një fillim premtues për një karrierë që synon nivelet më të larta të arbitrimit, si kompeticionet e UEFA-s dhe FIFA-s. Ky moment shënon një krenari të veçantë për familjen Salaj dhe një shtysë për zhvillimin e arbitrimit femëror në vend.
Ndërkohë përveç Kleas, janë diplomuar edhe disa arbitra të tjerë shkodranë dhe pikërisht Esmerin Kukaj, Besart Meti, Emil Jerina, Fraviol Ndreka. Ledjon Hasandoçaj, Unejs Dyli dhe Drivi Sheqi.


