Nuk është ndër ata fu tbollistë që kërkon të tërheqë gjithmonë pas vetes kamerat kur shënon dy, tre apo qoftë edhe katër gola për ndeshje, duke e ndarë meritën me shokët e skuadrës, por mbrëmjen e djeshme, pas gjysmëfinales së humbur dhe eliminimit nga Superkupa, shiriti i kapitenit në krah e detyroi që të vërë fytyrën përpara gazetarëve. Lionel Mesi u pa shumë nervoz dhe pranoi se një humbje si ajo e djeshmja ishte e patolerueshme.
Mesi, si ka mundësi që të humbni një ndeshje si kjo?
Nuk di ta shpjegoj. Për 80 minuta kontrolluam topin, dominuam, ofruam një ritëm të lartë, sulmuam në çdo moment, krijuam shumë raste për gol, por në fund, bëmë çmendurinë. Në 10 minutat e fundit u sollëm në fushë si foshnje, bëmë gabime elementare, duke lëshuar totalisht kontrollin e lojës dhe është normale që një skuadër si Atletiko na ndëshkoi.
Mendoni se ndikuan edhe vendimet arbitrare?
Absolutisht jo, pasi në këtë rast e lëshuam ne lojën. Nuk mund ta humbnim një ndeshje të kontrolluar dhe të dominuar në çdo detaj. Pas kësaj disfate nuk ka vend për të komentuar vendimet e arbitrit apo të VARit, edhe nëse na u mohuan dy gola, apo qoftë edhe më shumë.
Mund të flasim për ndjesi tepër negative pas kësaj humbjeje?
Donim të ishim në finalen e Superkupës, madje donim ta fitonim dhe ta çonim në shtëpi këtë trofe, por në futboll nuk mjafton të luash 80 minuta. Prandaj, nëse më pyesni për ndjesitë që më lë ky duel, mund të them se jemi në një moment krize dhe në një moment shumë të vështirë psikologjik. Përmbysje si kjo më sjellin ndërmend gabimet flagrante që kemi pësuar në dy vitet e fundit, në Champions, ndaj Romës dhe Liverpulit… Por me sa duket, edhe sot (dje) me Atletikon sërish nuk kemi mësuar prej të kaluarës dhe ky është një problem shumë i madh.
Trajneri Velverde duket se rrezikon stolin. Ju jeni ende me trajnerin tuaj?
Sigurisht që jemi me Valverden dhe duam të punojmë dhe të përmirësohemi edhe për të. Fatmirësisht, tani e në vazhdim do të kemi më shumë ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen e radhës në kampionat. Por duhet një kthesë e fortë nga të gjithë ne, nga i gjithë stafi teknik, nëse nuk duam një tjetër shuplakë si kjo.