I ftuar në emisioni “Kampionët” në “Vizion Plus”, trajneri Shpëtim Duro, u ndal te eucria e Partizanit këtë sezon, teksa pohoi se një meritë të madhe për rikthimin e Partizanit në nivele të larta ka presidenti aktual.

Ndërkohë, teksa po diskutohet mbi fenomenet e dhunës në stadiume, trajneri kryeqytetas, u ndal te problematikat e presidentëve në Shqipëri, teksa deklaroi se ka pasur raste që presidenti ka rrahur trajnerin, ndërkohë e kundërta ndodh në Maqedoni. Duro zbulon se në vendin fqinjë presidentët nuk ua dinë emrat trajnerëve.

“Kam qenë pjesë e stafit në skuadrën kampione të 1993. Kam qenë disa herë tek Partizani, në situate të mira dhe të vështira. Në 20 vite tek Partizani cfarë nuk kam parë.

Është e rëndësishme që për tifozët dhe ne që kemi qenë pjesë e klubit, po i vjen më në fund titulli kampion. Diskutimet pastaj se nëse ky Partizan është më i miri apo jo, janë relative. Pas një periudhë të errët, që në momentin kur ka ardhur presidenti Demi, të kuqte kanë qenë në nivele të larta. Pretendent për kampion apo në kupat e Europës.

Është realitet që Partizanit ia bënë më të lehte edhe disa faktorë. Për shembull fakti që ka munguar në garë Skënderbeu, imagjinoni nuk ka fituar prej muajsh ndeshje ne transfertë. Kukësi me shumë oshilacione ndonëse arriti deri në -3 pikë. Edhe Partizani ka gabuar por nuk ka pasur rivale që të përfitonin. Por fituesi nuk gjykohet.

Mendoj në Shqipëri problem për disa situata të tensionuara janë presidentët. Ka shumë presidentët që flasin më shumë se ç’duhet dhe kanë sjellje të pahijshme. Ju jap shembullin e Maqedonisë, atje si njeh askush presidentët. Nazim Destani (presidenti i Shkëndijës) është zotni burrë, vetëm tre herë në vit vjen në Tetovë për të parë ndeshjen.

Në Shqipëri ka pasur raste që presidenti ka rrahur trajnerin. Nuk dua të përmend emra pasi i dimë të gjithë. Sigurisht, jo të gjithë. Çdo president ka stilin e tij, Edmond Hasanbelliu ka 20 vite dhe s’ia dëgjon njëherë zërin, e njëjta gjë dhe me presidentin e Partizanit.

Duro foli edhe për të ardhmen, duke u shprehur: “Zanati ynë si trajner, na detyron të punojmë kudo. Tek Drita bëra gabim që vajta në kushte jo të mira por me detyruan shkaqet financiare. Unë shoh trajnere në Shqipëri që marrin nga 3-4 skuadra në vit. Unë nuk jam tek kjo kategori. Kjo nuk është serioze. Duhet të punosh në një klub që ka strategji, një gjë serioze, të kesh kënaqësi të punosh dhe objektiva”.