Ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme Turi i 76-të Çiklistik i Shqipërisë në të cilin marrin pjesë 11 ekipe profesioniste nga mbarë Europa dhe përveç tyre edhe Kombëtarja e Shqipërisë.

Pikërisht pjestari i saj- Ylber Sefa është shpallur fitues i etapës së parë të zhvilluar pasditen e sotme, asaj me itinerar Lezhë- Reps- Shkodër, 150 km e gjatë.

Çiklistët pjesmarrës në fakt janë nisur nga Shkodra në startin demostrativ të garës, por e vërteta ka nisur në dalje të Lezhës dhe çiklistët kanë marrë Rrugën e Kombit, duke shkuar deri në Reps dhe pastaj kanë marrë rrugën e kthimit për ta mbyllur etapën në sheshin kryesor të qytetit të Shkodrës.

Gjatë etapës ka patur shkëputje të njëpasnjëshme të çiklistëve gjatë rrugës, por më e rëndësishmja ka rezultuar ajo e çiklistit të kombëtares shqiptare Ylber Sefa. Ai i është shkëputur grupit në hyrje të Shkodrës dhe ka pedaluar i vetëm rreth 15 km duke prerë i pari vijën e mbërritjen me një diferencë prej 22 sekondash nga grupi i madh i çiklistëve.

Në këtë të fundit kanë qenë edhe çiklistët e tjerë të kombëtares shqiptare, Eugert Zhupa, Besmir Banushi, Kliti Jaku, Olsion Velia, Bruno Kola e Astrit Kronaj. Edhe paraqitja e tyre ka qenë shumë e mirë duke qenë vazhdimisht pjesë e grupit të parë të çiklistëve.

Duket se kombëtarja shqiptare nën drejtimin e trajnerëve Dashamir Rama e Leonat Kola do të jetë një nga ekipet më të mira të këtij Turi ndonëse pjesmarrës janë edhe 4 ekipe profesioniste italiane, një ekip belg, një kroat, një grek, një slloven, kombëtarja e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës.

Pas etapës së parë, kryeson renditjen ekipore Shqipëria me një epërsi prej 22 sekondash ndaj ekipit italian Team Hato Green Tea Beer dhe po aq edhe ndaj ekipeve të tjera.

Sot ndërkohë është dhënë edhe fanella e sprintit të malit për çiklistin belg David Fransen, ndërsa atë jeshilen e sprintit të fushës e ka veshur çiklisti jonë Ylber Sefa, i cili mban edhe atë të verdhën e kryesuesit të Turit. Ndërkohë, si çiklisti më i dalluar i kategorisë U23 është vlerësuar çiklisti italian Lorenzo Cataldo i ekipit Team Hato Green.

Renditja individuale e etapës së parë:

1. Ylber Sefa (Shqipëria) 3:37:09
2. Mirco Sartoti (Iseo Serrature-ITA) 3:37:31
3. Lorenzo Cataldo (Team Hato Green) 3:37:31

Renditja ekipore pas etapës së parë:
1. Shqipëria 10:52:11
2. Team Hato Green Tea Beer 10:52:33
3. Iseo Serrature Rime Carnovali 10:52:33

Nesër do të zhvillohet etapa e dytë e Turit të 76-të Çiklistik të Shqipërisë, ajo me itinerar Shkodër- Elbasa, 165 km e gjatë dhe starti i çiklistëve do të jetë në orën 12.00 nga sheshi i Parrucës në qytetin tonë.
© shkodrasport.com