Shqipëria vetëm për 4 minuta nuk ka arritur dot të ruaja avantazhin dhe përfundimisht vetëm barazim 1-1 ndaj Norvegjisë. Megjithatë pika e marrë nga kombëtarja jonë, e ka ngjitur atë në vendin e dytë me 10 pikë teksa Islanda ka humbur brenda në shtëpinë e saj me Slloveninë 2-4. Ndeshja ka nisur e studiuar mirë nga tanët. Në fushë nga minuta e parë janë edhe dy shkodranët, sulmuesi Salihi dhe mbrojtësi Teli. Trajneri De Biazi duket qartë se i ka udhëzuar të tijtë të jenë tepër të kujdesshëm dhe të mos ndikohen shumë nga entuziasmi që ka mbuluar gjithandej stadiumin “Qemal Stafa”. Mungesat e rëndësishme që ka në formacion, por edhe qasja ofensive e kundërshtarit në fushën e lojës e bëjnë italianin e pankinës sonë “të masë 100 herë e të presë 1 herë”.


Dallohet Rama që në ndonjë rast shfaqet më tepër se duhet individualist, por gjithcka justifikohet me pështjellimin që sjell në prapavijën norvegjeze. Madje, ai është njeriu më i rrezikshëm për vikingët në 45 minutat e para, qoftë me inkursionet në krahë dhe krosimet e sakta për te Salihi e Cani, por edhe me goditjet potente nga distanca. Ishte pikërisht ky lojtar, që në minutën e 41-të bën mrekullinë; organizon dhe finalizon një aksion perfekt individual, duke e dërguar topin në rrjetën e portierit kundërshtar e zhbllokuar rezultatin. Ishin minuta vuajtje për kuqezinjtë, në fakt, pas minutës së 30-të, sepse norvegjezët kishin arritur ta spostonin disi lojën në gjysmëfushën tonë me topat e gjatë dhe goditjet standarde. Agolli gabon në dy raste në të majtë të prapavijës sonë, duke i dhuruar kundërshtarit goditje këndi, por fatmirësisht portieri Berisha është zot i zonës së vet, sidomos në lojën në ajër. Mavraj, edhe pse u dëmtua nga minuta e 30-të dhe u detyrua ta fashojë kokën, jep siguri të madhe në qendër të mbrojtjes sonë, ndërsa Teli pak u duk, por nuk pati rastin të bjerë në sy për keq. Basha dhe Bulku ia lehtësojnë atij punën kur tërhiqen rregullisht në mbrojtje, kur topin e ka kundërshtari. Në total, me një fillim tepër entuziast për Shqipërinë, pastaj me një ekuilibër në lojë dhe fund të lumtur për kuqezinjtë, pjesa e parë i dërgoi dy skuadrat me humore të ndryshme në dhomat e zhveshjes. Shqipëria në avantazh, ndërsa Norvegjia e mundur.Pjesa e dytë është me të njëjtin ritëm. Skuadra jonë mundohet të kërkojë edhe golin e dytë dhe në 2-3 raste i afrohet ndjeshëm megjithatë nuk ia del dot. De Biazi vendos të luajë për të mbrojtur rezultatin. Largon nga fusha Salihin dhe fut një mbrojtës Osmanin. Skuadra tërhiqet prapa dhe nga kjo e pëson. Në minutën e 96-të pas një goditje këndi, Hogli një shtatëshkurtër, harrohet në zonën tonë dhe me kokë ai shënon golin e barazimit. Shqipëria nuk e beson se është ndëshkuar, hidhet në sulm dhe mbase duhej të kishte shënuar në minutën e 94-të me anë të Çanit megjithatë pa sukses. Përfundimisht barazim 1-1. Një festë e mbetur përgjysëm megjithatë Shqipëria është e dyta në renditje. Ëndërra e saj vazhdon.