Kombëtarja u mund në shifrat e thella mbrëmë 5-0 kundër Anglisë brenda në “Wembley”. Një humbje për të cilën nuk mund të bësh komente të shumta duke parë dominimin që bënë anglezët. Por mbrëmja kishte edhe një notë shumë pozitive dhe ajo ishte për tifozët shqiptarë.

Mbështetësit kuqezi ishin në një numër prej 10-12 mijë të pranishmit në mitikun “Wembley”. Shifër që ndoshta frikësoi tifozerinë angleze që nga ana e saj u mobilizua në maksimum për të mos e lënë stadiumin në “dorën” e tifozave kuqezi.

Brohorimat dhe mbështetja ndaj kombëtares nuk mungoi nga minuta e parë deri në të fundit. Pavarësisht se kombëtarja po pësonte 5 gola, tifozët nuk u ndaluan në asnjë moment.

Kjo duke treguar frymën e duhur të tifozllëkut, por edhe korrektësinë e tyre që ndoshta u diskutua shumë në ndeshjen me Poloninë.

Jo vetëm emigrantët që jetojnë në Angli, por edhe mbështetës nga vende të tjera të Europës kishin udhëtuar drejt Londrës. Kjo vetëm për të qenë pjesë e kësaj ndeshjeje historike për kombëtaren tonë të futbollit.

Endri ÇINARI