Vllaznia-Egnatia është takimi që do të hapë siparin e javës së 17-të. Ndeshja do të luhet në “Loro Boriçi”, me rrogozhinasit që do tentojnë të mos dalin pa pikë nga Shkodra.
Kapiteni aktual i Egnatias, Ndriçim Shtubina foli në prag të kësaj ndeshjeje, teksa në një intervistë për “Shkodra Sport”, shkodrani tha se nesër i pret një ndeshje e vështirë, por ai beson në një rezultat pozitiv. Mesfushori u shpreh se dëshira e tij është që Egnatia të shpëtojë dhe Vllaznia të marrë titullin kampion në fund të sezonit.
“Për ne është ndeshje e vështirë, por në Shkoder luhet futboll dhe unë shikoj një ndeshje shumë të fortë. Me Partizanin rezultati nuk tregoi lojën tonë, por e kemi harruar atë ndeshje dhe me Vllazninë do jetë diçka tjeter.
Unë besoj te një rezultat pozitiv nesër ndaj Vllaznisë. Skuadra jonë ka lojtarë shumë të mirë, por duhet të besojnë te aftësitë e tyre. Duhet të mendojmë për pikët jo për lojën. Unë e shoh luftën e fortë deri në fund por do ia dalim”,-shprehet ai.
I pyetur për ekipin e tij të zemrës, Vllazninë, Shtubina shpreson që skuadra e tij e qytetit në fund të sezonit të shpallet kampione.
“Vllaznia është më e fortë në Shkodër se sa jashtë. Vllaznia ka mundësi për më shumë. Unë uroj që Egnatia të shpëtojë, ndërsa Vllaznia të dalë kampion. Kjo është dëshira ime më e madhe për këtë vit. Unë besoj se Zoti do ma plotësojë dëshiren. Unë them që Vllaznia i ka mundësitë por nuk e ka të thjeshtë”,-theksoi shkodrani.
Në fund, mesfushori 34-vjeçar ka edhe një mesazh për tifozërinë shkodrane në prag të kësaj sfide.
“Ejani në stadium që të shikoni një ndeshje shumë të bukur. Nesër do ketë pak tifoza nga Rrogozhina dhe personalisht kam një kërkesë për tifozët e Vllaznisë që t’i respektojnë tifozët e Egnatias, sepse ata më respektojnë shumë mua dhe kanë respekt shumë për Shkodrën”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni aktual i Egnatias, Ndriçim Shtubina.
Maringlen Zhivani