Po bën një kampionat të mirë me Egnatia dhe bashkë me të po shkojnë drejt Superligës. Mesfushori shkodran Ndriçim Shtubina ka shënuar ditët e fundit një gol shumë të bukur për rrogozhinasit ndaj Flamurtarit duke i dhënë një fitore me shumë vlerë atyre.

Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Fax Sport” dhe përpos paraqitjes së tij me Egnatian, natyrisht që është pyetur dhe ka folur edhe për ish- skuadrën e tij Vllazninë.

“Vllaznia ka gabuar në këto javët e fundit, por duhet të vazhdojë të besojë sepse ka shumë javë që është në vendin e parë dhe kjo nuk është rastësi. Ka vlera në skuadër, por thjesht i ka munguar ecuria në ndeshjet e fundit.

Këtu ndoshta ka ndikuar edhe presioni i madh. Kur je në vendin e parë kuptohet që do të kesh presion, por ndoshta disa lojtarë të Vllaznisë nuk e kanë duruar këtë presion ngaqë nuk janë mësuar të fitojnë trofe. Megjithatë unë kam dëshirë që kjo skuadër të vazhdojë të jetë në vendin e parë”- ka thënë ai.

Ish- futbollisti i Vllaznisë ka edhe një sugjerim për kuqeblutë kur thotë: “Lojtarët duhet të jenë të qetë, të mos lexojnë shumë se çfarë shkruhet dhe flitet për ta sepse ato shkrime që bëhen janë edhe për të provokuar skuadrën.

Ata duhet të qëndrojnë larg presioneve të gazetave dhe televizioneve dhe njëkohësisht duhet të bëjnë kujdes edhe me lojën që do të zhvillojnë sepse nuk mund të fitosh më duke sulmuar për 90 minuta. Vllaznia fillimisht duhet t’i kushtojë rëndësi mbrojtjes dhe pastaj të shohë për kundërsulmin”.

E pyetur nga gazetarja Klevisa Alinani nëse do të kishte patur vend për Shtubinën dhe Likën tek Vllaznia, Ndriçimi do të përgjigjej: “Unë vazhdoj të kem marëdhënie të mira me drejtuesit shkodranë, por mendoj se do të kishte patur vend në skuadër edhe për mua dhe Gilman sepse do ta kishim ndihmuar atë me eksperiencën tonë, por kjo është zgjedhja që ato kanë bërë.

Megjithë e përsëris, i uroj suksese dhe shpresoj që Vllaznia ta mbajë vendin e parë deri në fund të kampionatit, ndonëse këtë gjë e shoh të vështirë”./SHKODRA-SPORT.COM/