Egnatia as që e ka në plan ta dorëzojë kre un. Ndriçim Shtubina mendon se askush më shumë se rrogozhinasit nuk e meriton ngjitjen në Kategorinë Superiore. Mesfushori u hap sfidë rivalëve gati 10 ditë larg rifillimit të kampionatit. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, 33-vjeçari tregon se ekipi është gati për elitën, ndërsa nuk ngurron që të flasë edhe për Vllazninë.
“Jemi gati për rifillimin e sezonit. Kemi nisur përgatitje që në ditët e para të janarit dhe mendoj se kemi kapur gjendjen e duhur fizike. Minifaza ka shkuar në perfeksion, pasi po ushtrohemi edhe në kushte perfekte. Jam i lumtur që erdha në Rrogozhinë. Ndihem i vlerësuar prej gjithkujt, pasi këtu vetë qyteti e do futbollin. Kjo na motivon që të japim më shumë se 100% në fushë, pasi në fund duam që t’i bëjmë krenarë.
Kemi dëshmuar se jemi superiorë ndaj kundërshtarëve. Jo vetëm gjatë fazës së parë, por edhe në miqësore. Vërtet u mundëm nga Besa, por më mirë që ndodhi tani. Në fund të fundit, ndeshjet testuese për këtë vlejnë. Vendin e parë nuk kemi për ta lëshuar. E kemi marrë me meritë, ndaj duam që t’i shkojmë deri në fund këtij rrugëtimi.
Jemi një skuadër e kompletuar në të gjitha repartet dhe në momentin që ke çdo rol të dubluar, pengesat mund t’i kalosh lehtësisht. Gara do të jetë pa dyshim e fortë, por ne nuk do lëkundemi. Vetëm se duhet përqendrim deri në javën e fundit e të jemi dinjitozë në Grupin B. Nuk mund të premtoj shumë, pasi në futboll duhet shpirt gare e dëshirë për fitore të njëpasnjëshme.
Golat? Kam shënuar dy gola, por mendoj se nuk do ta lë me kaq. Rëndësi nuk ka se kush e çon topin në rrjetë, pasi për ne vlejnë vetëm pikët. Unë çdo gol që shënoj ia dedikoj babait tim që nuk jeton më prej shumë vitesh. Ai është fatsjellës për mua”, tha shkodrani, që ndalet edhe tek ekipi “mëmë”.
“Te Vllaznia kam hedhur hapat e parë të karrierës, ndaj kurrë nuk do ta harroj. Kam luajtur për atë fanellë dhe e dua pa fund. E kanë hedhur një ‘dorë’ te titulli kampion dhe nuk besoj se kanë rivalë. Shanset e ekipeve të tjera që t’i afrohen janë me ‘pikatore’. Qyteti i Shkodrës e meriton që të festojë”, përfundoi Shtubina.